Voxnews.al solli pak kohë më parë një artikull të ndërtuar mbi bazën e denoncimeve dhe sinjalizimeve që kishin mbëritur në redaksi mbi shndërrimin e kupolës së drejtorisë rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të drejtuar nga Elban Zavalani në një bandë gjobëvënësish për bizneset.
Artikulli, ku flitej për skemën e detajuar me dyshimet se si vepronte ky grup, siç duket nuk ka rënë në vesh të shurdhër. Elban Zavalani nuk është më në krye të AKU-së së Tiranës, që mbulon gati gjysmën e konsumatorëve në Shqipëri.
Në vend të tij është emëruar Fation Pasholli, që detyrë të parë mesa duket do të ketë shkatërrimin e rrjetit gjobëvënës të ngritur nga drejtuesi paraardhës në krye të këtij institucioni.
Denoncimi i 12 Marsit i Vox News
Në ditët e para të muajit mars, policia njoftoi arrestimin e një biznesmeni, të akuzuar se kishte tentuar të korruptojë drejtorin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për rajonin e Tiranës për t’i certifikuar analizat e produkteve të tij, edhe pse ato mund të kenë qenë jashtë standardeve të tregut.
Kjo është ana në dukje e medaljes. Ana e padukshme e medaljes është sekreti publik se në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, të paktën në rajonin e Tiranës dyshohet se vepron një rrjet i ngritur zyrtarësh dhe ish-zyrtarësh të korruptuar që u vënë gjoba bizneseve.
Të dhëna paraprake të siguruara nga burime të Voxnews.al brenda kësaj drejtorie sugjerojnë që jo. Burimet ngrenë dyshime se drejtuesi i AKU-t është në dijeni të një skeme gjobëvënëse që zbatojnë inspektorët në varësi të tij ndaj bizneseve.
Skema, sipas sinjalizimit të marrë në redaksinë e Voxnews.al është e thjeshtë.
Bizneset që kapen me shkelje për të cilat legjislacioni parashikon gjobë, kërcënohen nga inspektorët me padi në prokurorinë e Tiranës, ku kreu i AKU-t të Tiranës ka në funksionin e prokurores një njeri të familjes, nëse refuzojnë që të paguajnë ‘gjobën nën dorë’.
Denoncimi i mbërritur në Voxnews.al kërkon një hetim më të thelluar, ndërsa drejtuesi i AKU-t të Tiranës është akuzuar edhe nga opozita në mes të muajit korrik për shantazh dhe gjobë ndaj bizneseve.
Pranë redaksisë tonë ka me dhjetëra raste të denoncimeve nga subjekte kur inspektorët e AKU janë kthyer në taksidarë.
Drejtuesi i ri i AKU, Edmond Rrushi, edhe pse tenton që të bëjë një reformim të institucionit që merret me sigurinë ushqimore, degën e Tiranës e ka totalisht jashtë kontrollit.
Në vijim do të publikojmë shumë raste denoncimi që lidhen me AKU Tiranës, dhe listën e subjekteve ku shkojnë inspektorët dhe më pas iu vjen telefonata nga drejtoria për tu larguar pa lënë asnjë konstatim.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.