Kryebashkiakët në BURG, kush do e DREJTOJË bashkinë Himarë! (‘Loja’ me PREFEKTIN)

25 Mars 2024, 11:36Fokus SHKRUAR NGA ROBERT HASA
Jorgo Goro/ Fredi Beleri

Nga Robert Hasa

Arrestimi nga SPAK i kryetarit në detyrë të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, ka hapur një ngërç administrativ, se kush do merret tashmë me punët e qytetit.

Po ashtu në burg është kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, GjKKO vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

Në këto kushte drejtimi mbetet në "dritë hije", pasi edhe pse i arrestuar Jorgo Goro vijon të jetë legjitim në detyrë, deri në një vendim të mundshëm për shkarkimin.

Çfarë thotë ligji i ndryshuar në 2015 për qeverisjen vendore:

Jorgo Goro duhet të japë dorëheqjen ose të shkarkohet nga Këshilli i Ministrave.

Sipas legjislacionit shqiptar një nga format për të zgjidhur ngërçin është që këshilli bashkiak të mblidhet për të mandatuar një nga dy nënkryetarët për të drejtuar bashkinë.

Në këtë rast mazhoranca (Partia Socialiste) ka 13 vota, ndërsa koalicioni (Bashkë Fitojmë) ka 8 vota, pra PS ka 5 vota më shumë se opozita. 

Roli i prefektit dhe fuqia e tij mbi kryebashkiakët:

Me firmën e kryeministrit, Edi Rama, Vangjel Tavo pak ditë më parë u emërua prefekti i qarkut të Vlorës.

Ky i fundit ka qenë më herët deputet dhe ministër i Shëndetësisë në qeverisjen e "Berisha 2".

“Propozon pranë ministrit përgjegjës për çështjet vendore shkarkimin e kryetarit të bashkisë pjesë e qarkut përkatës në rast të kryerjes së shkeljeve të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve", thuhet në nenin 8 të ligjit aktual numër NR. 107/2016, “PËR PREFEKTIN E QARKUT”.

Në qarkoret e PS, PD dhe mediave greke është aluduar shumë se, Vangjel Tavo do të jetë kreu i ri i bashkisë Himarë.

Vendimi i gjykatës së Apelit për Fredi Belerin:

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi më 5 mars që të shpallë fajtor, Fredi Belerin për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe e dënoi atë me 2 vjet burg.

Tashmë ”topi” në gjyqin e Belerit i mbetet gjykatës së Apelit në rast se do lërë në fuqi vendimin e GJKKo apo do e ndryshoj.

Akuzat e SPAK kryebashkiakun e zgjedhur Fred Belerin dhe për kryetarin në detyrë, Jorgo Goro:

Jorgo Goro akuzohet se ka firmosur për tjetërsimin e një prone rreth 5 mijë metra katrorë nga arë bujqësore në sipërfaqe truall.

Në rastin e dytë nëpërmjet dokumentave të firmosura, sërish nga Goro u zhvendos një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, e cila iu vendos një tjetër pasurie, të gjitha në favor të familjes Mëhilli.

Më pas, në bazë të këtyre dokumentave, u dha leje ndërtimi për një kompleks turistik nga bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, Artan Gaçi.

Aktualisht Goro dhe Bashi janë në "arrest me burg"; në “arrest shtëpie” janë Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikoka; ndërsa Stavri Mëhilli është shpallur në kërkim.

Dënimi i Fredi Belerit:

Gjykata e Posaçme vendosi më 5 mars dënimin me dy vite burg për të. Beleri është shpallur fajtor për 'korrupsion aktiv' në zgjedhjet lokale të 2023-it.

Çështja e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u kthye në arenë përplasjesh mes Tiranës dhe Athinës. 

Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.

Himara është një nga perlat shqiptare të turizmit një zonë e lakmuar nga oligarkët, politika shqiptare dhe greke.

Qyteti bregdetar është kthyer tashmë në “kalin e trojës” dhe lufta politike është se kush do e fitojë atë qoftë me votë, ligj apo (maliq).

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video