Kush po i RRËMBEN dhe po i ZHDUK të rinjtë e Sarandës? Kodi i 'OMERTAS'!

21 Mars 2024, 11:45Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Të rrëmbyerit dhe të zhdukurit në Sarandë

Mbrëmjen e djeshme emisioni Inside StoryTCH, zbuloi detaje të reja nga zhdukja e dy 46-vjeçarëve në Sarandë, Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovarit alias Krasniqi.

Droga dyshohet se është njëra nga pistat e hetimit për disa të zhdukur pa nam e nishan nga qyteti i Sarandës.

Familjarët e tyre ende nuk e dinë çfarë ka ndodhur me fatin e familjarëve të tyre.

Nga viti 2015 në qytetin e Sarandës janë rrëmbyer dhe zhdukur 5 persona, ku dosjet e tyre duket se janë plurosur dhe nuk hapen.

VoxNews risjell në vëmendje disa prej të zhdukurve nga qyteti i Sarandës që ende nuk dihet çfarë ka ndodhur me ta:

17 qershor 2015- Ridvan Lamaj po pinte një kafe në shëtitoren e qytetit të Sarandës, kur dy shokë të tij, me të cilët kishte debatuar për çështje droge, e ftuan të futet në një “BMW X5”. Nga ky moment, familja e 37-vjeçarit Lamaj, baba i dy fëmijëve, nuk di më asgjë për të.

9 maj 2016 në Igumenicë, iu pre koka 26-vjeçarit Bledar Terpollari, i cili sipas informacioneve frekuentonte edhe zonën e Konispolit në Sarandë. Shkak ishte prishja e pazareve të drogës, koka e viktimës nuk u gjet kurrë.

9 tetor 2016- zhduket 30-vjeçari nga Ksamili, Leonidha Bilero. Familjarët e tij atëherë ngritën dyshime se djali mund të jetë përdorur për trafik të lëndëve narkotike. Ksamili rezulton në kufi me territorin e Bashkisë Konispol.

14 dhjetor 2021- Fatjon Doda nga fshati Shëndëlli, Bashkia Konispol, sot 24 vjeç, rezulton i zhdukur. Motra e tij e denoncoi të humbur në janar 2022. Një ndër pistat e hetuara është ajo e përfshirjes së të riut në trafikun tokësor ose detar të drogës drejt Greqisë.

Një nga pistat e zhdukjes së 5 sarandiotëve është thyerja e Kodit të 'Omertas', kjo më pas ka sjell përplasjet mes bandave të botës së krimit.

Çfarë bën Mafia, kur thyhet Kodi i heshtjes, “Omerta”

Kodi i heshtjes ose, siç njihet në gjuhën e mafiozëve, Omerta është një mënyrë e vërtetë të jetuari, elementi qendror i botës mafioze.

Sipas Omerta-s, një mafioz nuk duhet të paraqesë veten para një mafiozi tjetër, por prezantimin duhet t’ia bëjë një mafioz i tretë, i cili është i njohur nga këta dy.

Po ashtu, ky kod i ndalon mafiozët që të tradhtojnë bashkëpunëtorët tek autoritetet. Nëse kjo ndodh, atëherë tradhtari dhe familja e tij dënohen me vdekje.

Trafiku i drogës trazoi qetësinë e Sarandës 

Droga dyshohet se është shkaku i zhdukjeve të fundit, por edhe i disa ngjarjeve të njëpasnjëshme misterioze që po e kthejnë Sarandën në një qytet problematik.

Afërsia kufitare me Igumenicën apo me Korfuzin, e bëjnë Sarandën epiqendër të trafikut të marijuanës dhe të tregtisë së kokainës.

Edhe heroina në dukje një drogë e nivelit të tretë, është jo pak e gjendur në Sarandë, madje një numër i madh përdoruesish janë të regjistruar si të tillë.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video