Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë shpërndau një video të shkurtër nga takimi i Ndihmës Sekretarit të Byrosë së Narkotikëve, Todd Robinson me drejtuesit e SPAK dhe me përfaqësues nga politika.
Zyrtarisht, mesazhi i përcjellë nga Ambasada është përforcimi i mbështetjes amerikane për prokurorët dhe gjykatësit e posaçëm në luftën e tyre ndaj korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar.
Jozyrtarisht, kërkesa amerikane ndaj prokurorisë së posaçme ka qenë më konkrete dhe më e drejtpërdrejtë.
Washingtoni kërkon nga SPAK që të jetë më proaktiv dhe konkret në hetimin dhe gjurmimin e parave të grupeve të trafikut të drogës, që dyshohet se pastrohen në sektorin e ndërtimit në Shqipëri.
Paratë e kullave prej kohësh kanë ngritur shqetësim te partnerët ndërkombëtarë.
Kërkesa amerikane konfirmohet vizualisht nga vetë prezenca e një zyrtari të byrosë së narkotikëve në DASH, në një kohë që vetë eprori i tij, Antony Blinken pak ditë më parë mori pjesë në një konferencë kundër pastrimit të parave në Vjenë.
Hetim të burimit të parave të kullave dhe të rezidencave në zonat bregdetare është kërkuar kryesisht nga partnerët europianë të Shqipërisë.
VoxNews.al është në dijeni të të paktën dy rasteve, kur autoritetet belge dhe ato holandeze kanë dorëzuar kërkesa për hetimin e disa resorteve dhe pallateve në zonën bregdetare të Lezhës dhe Shkodrës, që dyshohet se janë ngritur nga aktiviteti i grupeve shqiptare të trafikut të kokainës në këto dy vende.
Por, kjo mund të jetë hera e parë që një kërkesë e tillë të mbërrijë nga amerikanët, çka sugjeron se paratë e krimit të organizuar shqiptar, përveçse deformojnë ekonominë vendase përmes dëmtimit të konkurrencës së drejtë, po shndërrohen në problem edhe përtej Atlantikut.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.