Abuzimet në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit duket se s’kanë fund, ku të gjithë janë lyer e përlyer, që nga punonjësit shtetërore, firmat që kanë zhvatuar dhjetëra miliona euro e madje edhe sekserët. Me veprime dhe mosveprime, të gjithë të lartpërmendurit kanë shpërndarë në mënyrë fiktive, nëpërmjet tenderave të fryrë dhe të paracaktuar, qindra miliona euro, për të ashtëquajturën “Shqipëria dixhitale”.
Zhvillimet e fundit i kanë dhënë përgjigje disa pyetjeve, ku në krye të skemës së zhvatjes kanë qenë dy drejtues të AKSHI-t, drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe zv.drejtori Daniel Shima. E para është marrë e pandehur nga SPAK-u, teksa po hetohet me masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa i dyti është ende i lirë, me një dosje që sa vjen e shtohet, sidomos në “pastrimin e parave”.
VoxNews ka raportuar në vijimësi, duke siguruar dokumente ekskluzive si nga dosja hetimore ashtu edhe nga faktet e reja, që implikojnë rëndë Daniel Shimën, se si një i ri, rrogëtar në shtet, me të ardhura normale nga familja, papritur u bë një miliardër, me një pasuri prej dhjetëra miliona eurosh, duke ngritur një mori firmash nga hiçi. Madje, duke mësuar kushërinjtë, nënën e tij, të dashurën se si të hapin firma dhe të xhirojnë e gjenerojnë para’.
Normalisht, pas këtyre zbulimeve duhet të kishte një reagim të fortë nga insitutcionet ligjzbatuese, qoftë me ndalime dhe arrestime, pasi ka informacione se këta individë, të lidhur fortë me Shimën, po tentojnë të pastrojnë paratë e tij, të dyshuara se kanë si prejardhje tenderat e AKSHI-t. Duket se, pas zhvillimeve të fundit, hierarkia ka ndryshuar, duke e vënë nëndrejtorin Daniel Shima në krye të skemës, madje si personin që lëviztë çdo gur te AKSHI.
VoxNews ka mësuar nga burime pranë Prokurorisë së Posaçme se Shima është marrë disa herë në pyetje për këtë dosje, i cili ka deklaruar se “firmosja për Mirlindën”. Por, duke parë rrjetin e kompanive, pasuritë, trojet, apartamentet, lejet e ndërtimit, vilat e bizneset, duket se Mirlinda firmoste për Daniel Shimën!
Si ka mundësi që, një rrogëtar i ri, me një post në shtet, që s’e kalon pagën neto prej 3 mijë eurosh, pak më shumë apo më pak, të vendosë një pasuri prej miliona eurosh? Raportimet e VoxNews nxorën në dritë një pasuri marramëndëse, të vendosur nga ish-nëndrejtori Daniel Shima që në moshën 28 vjeçare. Aktualisht ai është 34 vjeç, ndërkohë që rrethi pranë tij, apo edhe ai vetë, zotëron një mori firmash dhe pasurish të patundshme, troje, apartamente, pallate, vila etj.
Duket se, pas dëshmisë së tij fshihen interesa tepër të errëta, pasi deri në vitin 2025, çdo tender i madh i AKSHI-t kalonte nga Daniel Shima. Ishte ai personi që lëvizte çdo gur, detyronte çdokënd të firmosnin, madje edhe vetë drejtoreshën. Interesat e palëve të treta, kryesisht biznesmenë të fuqishëm, me lidhje familjare me krerët e shtetit, kanë sjellë këtë situatë, ku Danieli shihej “de fakto si drejtor i AKSHI-t”.
Kohët e fundit, ai kishte një sjellje prej eprori, me shofer dhe badigardë, duke detyruar çdo punonjës që t’i nënshtrohej. Deri sa, në “lojë” u futën persona të tjerë, ndër ta Ermal Beqiri, Ergys Agasi dhe me “ndihmën” e kësaj dysheje, drejtoresha Mirlinda Karçanaj mori forcë dhe vendosi t’a shkarkojë Shimën. Më pas nisi një hakmarrje e Danielit, i cili në fakt ishte bërë një lojtar i rëndësishëm te AKSHI, me dokumente dhe informacione për tenderat e zhvilluar.
Por nëse tresha Beqiri, Agasi dhe Karçanaj janë tashmë nën akuzë, dhe askush s’e fsheh se kanë abuzuar, po përse lihet jashtë dosjes Danieli apo bashkëpunëtorët e tij? Nga i mori paratë Danieli për “perandorinë” e tij? Kush e pagoi? Çfarë tenderi dyfishoi dhe cilët ishin ata biznesmenë që përfituan nga vendimmarrja e tij?
Duket se, nuk mjafton vetëm mbledhja e dokumenteve për Shimën, por duhet një veprim, të paktën për t’a vënë nën akuzë, me masë sigurie dhe ajo më e rëndësishmja për të gjithë taksapaguesit është sekuestrimi i pasurive. Për të gjithë, ata me masë dhe ata nën hetim, duhet që SPAK-u apo BKH-ja t’u marrë pasurinë, t’ua kthejë qytetarëve, ku në trojet që kanë të ndërtojë çerdhe, kopështe, shkolla apo qendra shëndetësore.
Vilat t’i kthejë në jetimore, apartamentet t’ua japë të pastrehëve dhe paratë në llogaritë bankare t’i shpërndajë në fondin e pensioneve. Në fakt, këto pasuri e të ardhura janë të të gjithëve, por të zhvatura në mënyrë kriminale nga buxheti i shtetit, për të mirat materiale të një grupi të ngushtë, punonjësish apo biznesmenësh.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016