Troje, pallate dhjetëra milionë euro..../ Pasuria “faraonike” e Daniel Shimës, prestanomet që fshehin paratë e korrupsionit

11 Shkurt 2026, 22:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Daniel Shima

Në vitin 2021, Sokol Parllaku, një mik i afërt i Daniel Shimës krijon kompaninë “Premium Glass”.

I njëjti person, prej vitit 2015 zotëronte edhe kompaninë tjetër “Alu Glass”.  Të dyja me fushë operimi në tregtinë e xhamave, prodhimin e dyerve, dritareve alumini etj.

Deri këtu, gjithçka duket krejt normale. Por, nëna e Daniel Shimës, Merita, futet si aksionere me 60 % të kuotave në kompaninë “Premium Glass”.

Pra, zonja Shima nuk hyn si aksionere e thjeshte, por si kontrolluese e paketës dërrmuese të aksioneve. Ajo ka vendimmarrjen në kompani për gjithçka.

Merita Shima, bleu edhe 40 % të aksioneve në kompaninë e themeluar nga Parllaku për vetëm 40 mijë lekë të reja, duke u bërë pronare e vetme. Për një kompani të re, pa aktivitet, me kapital 100 mijë lekë, kjo në dukje ngjason diçka në përputhje me tregun.  Por, “Premium Glass” dhe kompania tjetër “Alu Glass” e themeluar nga miku i Daniel Shimës, kishin nisur një fushatë të gjerë blerje trojesh. Këto lëvizje ishin pasuar me zhvillimin e pronave me ndërtime. Pra, zonja Shima që dikur punonte si rrobaqepëse,  kishte blerë një kompani që tashmë zotëronte prona me vlerë miliona euro për vetëm 40 mijë lekë.

“Ky është problem i vjetër që vijon në vendin tonë, sëshst vetëm kompani që hapin kapital me 1 mijë euro, e pastaj marin kontratë apo leje ndërtimi nga AZHT apo bashkitë që vetëm zbardhja lejes mund të kushtojë 500-800 apo 1 mln euro…”, u shpreh Alban Qafa, avokat

Investimet e mëdha nisin që në vitin 2020 me blerjen e dy apartamenteve në emër të kompanisë tjetër “Alu Glass”, në një prej zonave më luksoze në Tiranë, pranë kompleksit Delijorgji. Apartamentet me sipërfaqe 160 metër katrorë secili, shërbejnë si zyralll.

Në mars të vitit 2021, kompania e zotëruar nga Merita Shima blen 3 mijë metër katrorë tokë në zonën e Kasharit për 2,1 milionë lekë. Në të njëjtën zonë, përmes kompanisë tjetër “Alu Glass”, të zotëruar nga partneri i tyre Sokol Parllaku, blihen 7100 metër tokë duke e çuar totalin në plot 10 mijë metër.

Ne qershor 2021, subjekti i kontrolluar nga Merita Shima blen një tjetër sipërfaqe tokë prej 3.600 metrash në Dobresh. 

Gjatë kësaj periudhe ku ish rrobaqepësja shfaqet si investitore e madhe në kompaninë “Premium Glass”, edhe kompania simotër “Alu Glass”, kryen blerje të shumta trojesh. Në shkurt 2021 subjekti blen 2200 metër tokë në zonën e Prushit, në periferinë e Tiranës për 7800 euro. Në prill dhe në Maj të vitit 2021 blejnë dy parcela me hapsirë 3 mijë metër katrorë në total në “Rrugën Koxhasë” në Durrës ku sigurojnë edhe leje ndërtimi. Në vitin 2022 “Alu Glass” blen 3 parcela në zonën e Kasharit me sipërfaqe përkatësisht 2400, 14500 dhe 3700 metër katrorë me vlerë rreth 700 mijë euro.

Nga investimet në toka, tashmë kompanitë e lidhura me ish nëndrejtorin e AKSHIT Daniel Shima futen fort në sektorin e ndërtimimt. Në Mars të vitit 2022, “Alu Glass”, dhe “Premium Glass”, marrin leje nga Bashkia e Tiranës për godinë 8 kate mbi tokë dhe 1 nëntokë.

“Imobiliaret, një nga sektorët goxha potencial që është përdorur për pastrim parash, normalisht historikisht është përfolur ndërtimi”, u shpreh Bledar Meminaj, avokat

“Kryesisht kamuflohen me shitblerje në letër që është formë e përhapur, pastaj duke u kredituar në banka në x vlerë, por nuk mubulon velrën e investimit e asaj që derdhet në pronë”, u shpreh Alban Qafa, avokat

Ndërkohë, në 5 nëntor të vitit 2021, kompania “Premium Glass” nënshkruan një kontratë-sipërmarrje me subjektin Nova Konstruksion për prenotim apartamenti. Në fakt, kontrata parashikon plot 9 apartamente dhe 14 poste parkimi. Vlera në kontratë është plot 869.400 euro.

NOVA: “Me shoqëritë në të cilat Z.Parllaku është administrator dhe ortak na lidh bashkëpunim prej vitesh, për shkak të marrëdhënieve kontraktuale për kryejen e disa punimeve të natyrës së rëndësishme për sa i përket vlerës së tyre në kostot tona të investimit si për shembull punime duralimini dhe fasada xhami”.

Në korrik të vitit 2024, në tokat e blera në njësinë 14 në Tiranë, kompanitë e lidhura me njerëzit pranë ish zëvendësdrejtorit të AKSHIT Daniel Shima, sigurojnë një leje për godinë 16 kate mbi tokë dhe 3 kate nëntokë. Trualli ishte në emrin e kompanisë “Alu Glas”, ndërsa përfaqësimin për sigurimin e lejes e kreu sërish kompania me lidhje në pushtetin lokal “Son Engineering & Construction” e zotëruar nga Erind Bejleri. Subjekti zhvillues i kullës ishte kompania “Terra Construction”, sërish me aksioner Sokol Parllakun, mikun e Shimës.

SON: “SON Engineering & Construction shpk, kryen sherbime projektimi arkitektonik dhe nuk ndërmjetëson per sigurimin e lejeve të ndërtimit. Ne një pronë në Tiranë te shoqerise “Alu Glas”, kemi kryer shërbime projektimi arkitekonik për koncept ide, për nje objekt 16 kate”.

Në prill të vitit 2024 ky grup blen një truall në rrugën Him Kolli në Tiranë për 770 mijë euro.

Në periudhën 2022 deri në Shkurt 2025, ata rikthehen në rrugën “Koxhas” në Durrës ku përmes disa transaksioneve blejnë disa parcela me sipërfaqe në total prej 24.500 metrash katrorë. Bie në sy se çmimi i blerjes varionte nga 1 lekë për metër, deri në 1.800 lekë, vlera që nuk kanë asnjë lidhje me tregun.

Në të gjitha këto transaksione, pyetja që mbetet pa pargjigje është se nga erdhi burimi i parave për prona që kalojnë vlerën miliona euro. 

“Edhe nqs ka këto gjurmë, normalisht që besoj që është duke hetuar dhe do hetohet..”, u shpreh Bledar Meminaj, avokat

“Kjo është nga format e vjetra që vijon me dekada në vendin tonë kur ofrohet ryshfeti, por jo në monedhë por në prona të paluajtshme”, u shpreh Alban Qafa, avokat

Në 7 Dhjetor 2022, pasi kompania e “Premium Glass” e zotëruar nga nëna e Daniel Shimës kishte lidhur kontrata për prona me vlerë miliona euro, ish rrobaqepësja vendos të shesë aksionet. Blerësi është i njëjti person, ortaku Sokol Parllaku.  Aksionet u shitën për 100 mijë lekë të reja, edhe pse, siç zbuluam, subjekti zotëronte asete me vlerë miliona euro. Tërheqja de-Juro ndodh në momentin kur SPAK kishte nisur hetime për disa tendera në AKSHI dhe me sa duket, Shima po kërkonte të fshihte gjurmët.

Por, kontrolli mbi kompaninë mbetet. Sokol Parllaku, cakton administrator të kompanisë shtetasin Redvin Marku. Ajo që bën përshtypje është fakti se ky person, do të bëhej administrator edhe i kompanisë “Digital Euphoria” që do të themelohej në vitin 2024 nga vetë Daniel Shima me emrin e tij si pronar zyrtar.

Pra, një skemë ku emrat ndërrohen mes tyre për të humbur gjurmët, por kontrolli dhe paratë mbeten. Lëvizja e fundit ndodh në 20 nëntor 2025 ku Sokol Parllaku rimerr atributet e deleguara të administratorit tek Redvin Marku. Kjo ndodh pikërisht kur nën zë, po vlonte dosja e bujshme e “AKSHI-t” që u finalizua në Dhjetor 2025 me masat e sigurisë. Këto, duken vështirë të jenë të gjitha rastësi.

“Nëse ka ndodhur gjatë periudhës hetimore jemi para një vepre tjetër që mund jetë pastrimi produkteve të veprës, një mënyrë fshehje, ose mënyrë që besoj se është e dukshme dhe vihet re nga organi procedues”, u shpreh Bledar Meminaj, avokat

“Nëse ke kompani që ka qarkullim monetar 5-7 mln euro nuk e shet dot kurrë për 2 mijë apo 5 mijë euro siç ka ndodhur te një nga kompanitë e bashkëpandehura..”, u shpreh Alban Qafa.

 


Video