Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 masa sigurie ndaj personave të dyshuar për përfshirje në skandalin e mbetjeve të rrezikshme që lidhet me kompaninë “Kurum”.
Nga këto, 26 janë masa “arrest me burg” dhe 7 masa “arrest shtëpie”. Operacioni për ekzekutimin e masave është shtrirë në 3 qytete, Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Mes personave për të cilët janë firmosur këto masa janë drejtues të “Kurum International” dhe kompanisë shqiptare “Sokolaj”, si dhe zyrtarë të doganës e biznesmenë.
Masë sigurie është lëshuar edhe për ish-drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollanin e cila është lënë me “arrest shtëpie”, për shpërdorim detyre dhe shkelje të procedurave ligjore lidhur me mbikëqyrjen dhe dhënien e lejeve mjedisore.
Hetimet kanë konfirmuar se mbetjet e sekuestruara në 102 kontejnerë kanë rezultuar të rrezikshme, pas analizave laboratorike të kryera nga autoritetet kompetente.
Këto mbetje ishin bllokuar në Portin e Durrësit, pas dyshimeve se po trajtoheshin apo transportoheshin në kundërshtim me ligjin dhe standardet mjedisore.
Duke u bazuar në dosjen e Prokurorisë, VoxNews ka zbardhur arsyen se përse janë lëshuar këto masa arresti ndaj “shefave” të Kurum, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, kompanive Bajrami N, Sokolaj Shpk dhe doganierët e portit te Durresit.
Masat e arrestit për shefat e “Kurum International”
Dy administratorë të KURUM, kompanisë turke për prodhimin e hekur-çeliqeve që vepron në Elbasan që prej vitit 2009, janë në masë arresti me burg, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurorë i kompanisë.
Po tek KURUM, prokurorja e Durrësit Suela Beluli, firmosi arrest në burg edhe për 5 të tjerë, përfshirë drejtorin e transportit, atë të prodhimit të çelikut, dhe të departamentit të shitjeve.
Bashkëpunimi i “KURUM” dhe “Sokolaj” fshehën rrezikun e mbetjeve toksike me “oksid hekuri”
Burg edhe për pronaren e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, dhe ish administratoren Olizana Pemati. Kompania, më 1 gusht 2023, kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i eksportuar me përshkrimin “oksid hekuri”, eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm.
Sipas dosjes hetimore, shoqëria Kurum dhe kompania Sokolaj, në fakt ishin në dijeni të plotë të mbetjeve të rrezikshme dhe kanë falsifikuar faturat e shitjes duke i fshehur.
Arrest shtëpie, dhe për kontabilisten e “Sokolaj”.
Përveç transaksionit të kryer me kompaninë Sokolaj, Prokuroria e Durrësit e akuzon Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, të cilat lidhen me transferimin e një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme drejt kompanisë “Alliance Resource”, e cila sipas akuzës nuk ka kushtet për trajtimin e tyre, si dhe përpunimin e skorjeve përmes kompanisë Bajrami N, që sipas prokurorisë nuk ka leje për trajtimin e tyre.
Gjykata caktoi arrest me burg për aksioneren e “Alliance Resource” Mbarime Koroci, si dhe pronarin dhe administratorin e kompanisë “Bajrami N”, Nazif Bajrami dhe Andon Prifti.
Mashtrimet dhe falsifikimet e dokumentave nga Kurum dhe shoqëria Sokolaj, u lehtësuan dhe nga zyrtarët e institucioneve shtetërore që duhet të kishin qenë një filtër parandalues, por që në të vërtetë, rezultuan si ingranazhe mbështetëse.
Në doganën e Durrësit faturat doganore kalojnë nëpër duart e agjentëve privat dhe atyre shtetëror, duke ndryshuar percaktimet teknike të cilat transformohen nga oksid hekuri, në oksid hekuri (Zn) e përfundojnë në koncentrat zinku.
Agjensia Kombëtare e Mjedisit ‘mbylli njërin sy’ për mbetjet e KURUM
Tek Agjencia Kombëtare e Mjedisit, janë lëshuar 7 masa sigurie.
Ish drejtoresha e Agjencisë Arta Dollani, në arrest shtëpie bashkë me drejtuesen aktuale, Marjeta Përlala.
Të tjerët, punonjës nga sektori i lejeve mjedisore, monitorimi i tyre, dhe nga drejtoria e inspektimit.
5 doganierë të Durrësit gjithashtu me masa sigurisë bashkë me aksionerin e agjencisë doganore “Joti Spedition” dhe 2 inspektorë të autoritetit portual.
Me përgjegjësi, hetimi gjen edhe kompaninë gjermane koncesionare të terminalit lindor në portin e Durrësit, EMS APO ku u depozituan mbetjet, për shkak se kompania nuk ishte pajisur me leje mjedisore për pranimin e tyre dhe as ka raportuar për to.
Ndaj masa sigurie ka edhe për 2 administratorët e kompanisë, njëri shqiptar e tjetri gjerman, si dhe një punonjës.
Kompania EMS APO sipas organit të akuzës i ka dhënë kompanisë Sokolaj hapësirë për depozitimin e mbetjeve në portin e Durrësit, përmes disa kontratave të qirasë të lidhura me kompaninë GS Minerals d.o.o, me seli në Kroaci, e kontrolluar gjithashtu nga familja Sokolaj.
Ndaj arrest me burg u caktua edhe për Doni Sokolaj, administratorin e kësaj kompanie.
Ishte organizata mjedisore ‘Rrjeti i Aksionit të Bazelit’ që ngriti alarmin se brenda tyre mund të fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme.
Për këtë rast, në hetime u përfshi dhe zyra e Bashkimit Evropian kundër Mashtrimeve, OLAF, në Bruksel.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016