Biznesi i artë i shitjes së makinave, në “të zezë”. Fitimet investohen në kulla luksoze!

4 Shkurt 2026, 13:01Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fotomontazh

Një fenomen tepër shqetësues për institucionet financiare është tregtia e automjeteve, një treg i cili vitet e fundit është rritur së tepërmi në Shqipëri. Ka dyshime të mëdha se, kompanitë kryesore që veprojnë në këtë sektor, funksionojë totalisht jashtë sistemit bankar.

Vox News ka mësuar se, i gjithë tregu i makinave të reja apo të vjetra është informal, i pa rregulluar dhe shpeshherë firmat, madje edhe ato më të mëdhatë, i shesin mjetet në “të zezë”. Është një skemë për të mos paguar taksa dhe detyrime, ku secila kompani është e lidhur me noterë, por edhe punonjës të drejtorive përkatëse.

Megjithëse janë vendosur vetëm çmime reference për zhdoganimin e mjeteve, sërish automjetet shiten formalisht me para nën dorë, duke e bërë të gjithë tregun të pakontrolluar. Deri më sot, institucionet që duhet të hetojnë këtë treg as e kanë marrë mundimin për t’a goditur, teksa të gjithë janë “të përlyer”.

Redaksia jonë ka mësuar se, paratë e fituara nga ky treg informal janë investuar në ndërtim. “Disa kompani, ato më kryesoret dhe që veprojnë prej vitesh, kanë filluar t’a shtrijnë aktivitetin edhe në ndërtim. Disa kanë blerë godina, vila apo edhe apartamente luksoze” tha një burim në kushte anonimati nga institucionet tatimore.

Jo vetëm kaq, por disa firma kanë filluar të ndërtojnë vetë edhe kulla në Tiranë. “Disa prej këtyre firmave kanë shtuar në aktivitetin e tyre në QKB edhe ndërtimin. Me lidhjet që kanë, me firma apo edhe me zyrtarë lokalë apo qendrorë, këto firma kanë marrë leje për kulla shumëkatëshe. Janë futur në tregun e ndërtimeve, ku në disa raste shërbejnë edhe si mbulesa apo prestanome të ndërtuesve apo politikanëve të tjerë” pohon i njëjti burim.

Ndërkohë, në ditët e para të janarit 2026, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tha se pas turizmit dhe ndërtimit, aksionet kundër informalitetit nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të përfshijnë tregtinë online apo shitblerjen e aksioneve të kompanive.

“Janë duke u mbledhur të dhëna qoftë nga bankat për pagesa apo nga platforma digjitiale. Aksione të tjera kanë të bëjnë me shitjen e makinave. Është duke u konkluduar faza e parë me 100 individë. Aksionet që shiten ndërmjet individëve nuk reflektojnë vlerën e tregut”, tha Ilir Binaj, Drejtor i Përgjithshëm i DPT-së.

Një deklaratë e fortë, që shpresojmë që të mos jetë vetëm një shkundje për këtë sektor, apo një paralajmërim që ata që e kanë bërë të “fshehin” të ardhurat. Padyshim që ky treg meriton një hetim, madje edhe të thelluar, për të gjetur se ku shkojnë paratë që duhet të paguanin në shtet.

Në vend që me ato para’ të ndërtoheshin spitale, kopshte, çerdhe, shkolla apo njësi publike, ato të ardhura po investohen në sistemin privat, në pasurimin e zyrtarëve që duhet t’i kontrollonin.

Vox News në vijim do të sjellë raste me emra konkret të kompanive që shesin makina në mënyrë informale, emrat që janë të përfshirë dhe ndërtimet në të cilat kanë aksione...

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video