
Përplasjet mes dy ish-ortakëve, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, kanë krijuar një situatë të paprecedentë.
Paraditen e kësaj të hëne, përplasja për pak ka përfunduar deri në rrahje mes punonjësve të të dyja palëve.
Aeroporti i Vlorës ka qenë një nga premtimet e mëdha të kryeministrit Rama.
Dhe tani që pothuajse gati ka përfunduar, gjendemi përballë një ngërçi të madh, që vështirë se mund të zgjidhet.
Kjo, pasi konflikti mes Pacollit dhe Ademit ka përfunduar në gjykatë, dhe dihet se sa kohë duhet të shqyrtohet një çështje në gjykatat tona.
Aq më tepër kur kihet parasysh pasha e këtij gjyqi.
Por përtej kësaj, ky nuk është një konflikt thjesht personal mes dy biznesmenëve.
Është një konflikt që përfshin edhe shtetin shqiptar, pasi është marrë peng një Aeroport i inicuar nga Qeveria.
Dhe fakti më i rëndë këtu, është ajo se vetë segmente të Qeverisë, thuhet se janë bërë palë me një prej ortakëve, Valon Ademin, duke bllokuar kështu Aeroportin e Vlorës.
Vetë Pacolli është përpjekur ta zgjidhë këtë situatë me ndërjmetësimin e kryeministrit Rama, por me sa duket pa efekt.
Ndaj dhe tani nuk kemi të bëjmë thjesht me një konflikt mes dy biznesmenëve, por me një çështje që përfshin vetë Qeverinë dhe shtetin shqiptar.
Që, duhet të gjejë një zgjidhje për këtë situatë, jo për të favorizuar njërin apo tjetrin, por për të vënë në funksion Aeroportin e Vlorës.
Ndryshe pastaj, do të gjendemi përballë një Aeroporti fantazëm, që s’do të vihet kurrë në punë.
Aeroporti i Vlorës dhe tuneli i Llogarasë, synon ta kthejë rivierën shqiptare në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.
Ndaj dhe në Palasë, Dhërmi, Jalë etj, këto vitet e fundit janë ndërtuar me dhjetëra resorte luksoze.
Por me sa duket, nuk e kishin parashikuar këtë ngërç, që mund të bllokojë ardhjen direkt të mijëra turistëve të huaj.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016