Nëse e zhvesh sherrin mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit nga banaliteti, heroizmat e trimëritë imagjinare, shpesh pa përmbajtje, ato që mbeten janë indicie alarmuese që tregojnë natyrën mafioze me të cilin ka bërë politik çifti LSI-PL.
Përplasja, gjithmonë nëse është e vërtetë dhe jo e stisur për popullaritet, apo për të hequr vëmendjen nga mali i dosjeve në SPAK që kanë të dy ata, zbulon se mënyra e politikëbërjes së tyre është më së paku e vrazhdë dhe e rrezikshme.
Në një intervistë televizive, i pyetur për inkuizicionin e nisur ndaj bashkëshortes së tij, Ilir Meta rrëfen me tone të larta se si e kishte paralajmëruar Monika Kryemadhin për Lulzim Bashën, që më djegien e mandateve dhe më pas edhe me vendimet e tjera politike të opozitës në atë kohë.
Përgjigja, që thotë Meta se ka marrë nga Kryemadhi kur i ka kërkuar kësaj të fundit që të bëjë kujdes nga Luli ishte tekstualisht: “Nuk ma bën Luli mua këtë, se po e bëri do ta vras!”. Kjo gjuhë e Kryemadhit tregon metodat mafioze të politikë-bërjes në radhët e Partisë së Lirisë, për të cilën Ilir Meta sot, të paktën publikisht e akuzon se e ka shndërruar në fole nepotizmi, paaftësie, pazarxhinjsh dhe deri te spiunësh.
A është i besueshëm Ilir Meta kur citon këto fjalë të Monika Kryemadhit? Janë disa faktorë që të bëjnë të mendosh që po. Por dy janë kryesorët. I pari është statusi i tij si bashkëshorti i Monës dhe i dyti gjuha e përdorur nga Monika Kryemadhi në mbledhjen e fundit të Këshillit Drejtues Kombëtar të LSI-së. “Mua nuk më rruhet për SPAK…”, ishin ndër të tjera fjalët e shqiptuara prej saj.
Por, a është i besueshëm Ilir Meta kur thotë se ai vetë nuk ishte në dijeni të djegies së mandateve të deputetëve të opozitës dimrin e 20019-s? I vetmi që mund të besojë këmbënguljen e vazhdueshme të tij se nuk ishte në dijeni të kësaj, është vetë Ilir Meta.
Ka disa arsye për këtë. Së pari, Ilir Meta ishte President në atë kohë dhe si President te ai raportonin pothuajse të gjitha agjencitë ligjzbatuese dhe ato të inteligjencës, që në rastin e një vendimi të tillë të opozitës, sigurisht. Së dyti, ishte në atë kohë dhe është ende bashkëshorti i Monika Kryemadhit, që drejtonte Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 17 deputetët e saj. A mund të besohet që gruaja ka vendosur të përcëllojë mandatet e deputetëve, që Ilir Meta mori e bleu me sloganin ‘Forcë e parë, forcë e paparë në fushatën e 2017-s, pa dijeninë e burrit të saj?
Së treti, Lulzim Basha, jo më larg se kjo e mërkurë tha se Ilir Meta jo vetëm që ishte në dijeni të djegies së mandateve, por ishte edhe një nxitës i tyre. Madje Basha e konsideroi frikacak, kur tha se nuk kishte guximin ta pranonte këtë, sikundër ka bërë Sali Berisha.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016