
Një vendim i marsit 2021 i Qeverisë po favorizon pa dashje grupet e trafikut të emigrantëve. Vendimi i marrë në atë kohë lehtësoi procedurat e hyrjes në vend të shtetasve të pajisur me leje qëndrimit të vlefshme nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Nga ky lehtësim përfitojnë shtetas jo të Emiratave të Bashkuara Arabe, por shtetas të vendeve të treta që janë të pajisur me leje qëndrimi prej Emirateve. Në këtë kategori përfshihen kryesisht punëtorë krahu nga vende si Bangladeshi, Pakistani dhe Nepali. Njëri prej grupeve që ka më shumë të punësuar prej tyre është grupi “Emaar”, që ka marrë projektin për të ndërtuar Portin e Durrësit në Shqipëri me një investim që parashikohet të shkojë mbi 2 mld euro.
Lehtësimi i procedurave të marrjes së vizave për këtë kategori personash në atë kohë u ndërmor për të siguruar krahun e nevojshëm të punës për ndërtimin e portit turistik në Durrës. Por, po ky vendim qeveria po përdoret edhe nga rrjete e trafikut të klandestinëve nga vendet e Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore drejt Europës Perëndimore.
Ky fakt zbulohet edhe në dosjen e prokurorisë së Tiranës në rastin e goditjes së grupit të trafikut të emigrantëve, ku ishin përfshirë edhe drejtues të lartë të zyrës së emigracionit në vend. Shumë prej shtetasve që janë trafikuar drejt BE-së kundrejt pagesave që shkonin mbi 5 mijë euro, rezultojnë se kanë pasur leje qëndrimi në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe janë pajisur me vizë nga autoritetet shqiptare, duke shfrytëzuar vendimin e marsit 2021 të Qeverisë.
Vendimi në atë kohë, bashkë me shtesën për heqjen e vizave për shtetasit rusë u kritikua nga Bruskeli, që i ka kërkuar Shqipërisë të përputhë politikat e dhënies së vizave me ato të Bashkimit Europian.
Deri para vendimit të 25 marsit 2021, shtetas që gëzonin të drejtën e pajisjes automatike me vizë nga Shqipëria ishin ata që ishin të pajisur me vizë të vlefshme me shumë hyrje-dalje, apo leje qëndrimi të vlefshme të lëshuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut, me kushtin që vizat të jenë përdorur më parë në këto shtete. Sa për vendet e Bashkimit Europian, ata përfitojnë nga mekanizmat e parashikuar nga Shengeni, ku Shqipëria është pjesë që prej 2010-ës.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.