Si u shit para pak muajsh në publik “nafta lumë” në Shpirag, nga Rama dhe Balluku

12 Prill 2024, 19:48Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të Pusit 5 në Shpirag

Kryeministri Edi Rama do të dilte në konferencë të jashtëzakonshme për mediat, jo një herë, për të dhënë “lajmin e madh” të zbulimit në Shqipëri të një rezerve gjigante me naftë, nga ajo e cilësisë më të mirë.

Ndonëse shtatë muaj më parë Rama tha se duhet të priteshin testimet finale të kompanisë SHELL, deklaratat e tij nuk kishte se si të mos nxisnin një lumë propagandistik se si nafta në Shpirag do ta kthente Shqipërinë në një mini-Dubai.

Emisionet e mbrëmjeve në TV nxituan të thërrisnin në panelet e tyre ekspertët e hidrokarbureve, deri dhe te ata të harruarit prej vitesh që dikur kishin shërbyer me eksperiencën dhe diturinë e tyre në uzinat e puset e shpuara gjatë periudhës komuniste.

Por edhe “zëdhënësit” e qeverisë, me aq zell nëpër kanalet mediatike nisën t’i tregonin shqiptarëve se si do i mbushnin makinat e tyre “full”, me çmime gati qesharake me naftën e cilësisë më të mirë, ndërkohë që paratë e ardhura nga nafta e Shpiragut do të mbushnin e derdheshin nga arkat e shtetit.

Një relike e çmuar po tundej duke vezulluar para syve të rrudhur të shqiptarëve, teksa kryeministri lutej që “me ndihmën e Zotit”, testi i shpimit do të rezultonte pozitiv.

Por 7 muaj më pas, teksa Shell nxorri raportin e fundit duke shfaqur dështimin për gjetjen e naftës në Shpirag, duket se ëndrra e bukur rezultoi një zhgënjim. Zoti po ashtu duket se nuk iu përgjigj lutjeve të kryeministrit shqiptar.

Por por qytetarët, përveç ndonjë zhgënjimi të vogël nuk humbën asgjë. Ata ishin të bindur se si me naftë, si pa naftë, asgjë nuk do të ndryshonte në përditshmërinë e jetës së tyre.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2

Video