Ekskluzive / Çfarë ka ndodhur në familjen Meta? Paranoja e kreut të PL, sheh armiq kudo…edhe në krevatin bashkëshortor

16 Prill 2024, 12:27Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ilir Meta

Ilir Meta shpërtheu në intervistën televizive në Opinion, ku më shumë se sa pushtetin, gjeti armiq jo vetëm brenda partisë, por edhe brenda shtëpisë së tij. Ai foli gjatë për sabotatorë, spiunë dhe tradhtarë në radhët e Partisë së Lirisë, që siç paralajmëroi në fjalën e mbajtur gjatë mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, do të pastrohen.

Perla e ish-Presidentit ishte kur ndau marrëdhënien me gruan e tij në dy fusha. Fusha e parë ishte ajo politike, ndërsa e dyta u nënkuptua raporti familjar. Në raportin politik Meta tha se nuk është i mirë dhe se nuk i ka dalë inati që nga djegia e mandateve. “Raportet tona politike që nga ai moment kanë pësuar një tronditje të madhe”, deklaroi Meta.

Sa për raportin familjar, në intervistë nuk e ceku shumë, por një javë më parë Ilir Meta i uroi ditëlindjen me një foto ‘vintage’, ku Monika Kryemadhi ndryshon si nata me ditën në krahasim me pamjen aktuale, që siç thuhet në një dosje të dorëzuar në SPAK ndaj çiftit është falë ndërhyrjeve estetike prej mijëra eurosh të padeklaruara.
Por, megjithëse u përpoq që të ndajë raportin politik me atë familjar me Kryemadhin, Ilir Meta tërthorazi e fajësoi atë për problemet që i ka hapur sot, si me gjendjen e partisë, ashtu edhe me akuzat në SPAK.

Meta pranoi se Monika Kryemadhi ka furnizuar SPAK-un me materiale ndaj tij. Por si? Nuk bëhet fjalë për rastet kur një grua denoncon burrin e vet. Bëhet fjalë për deklaratat publike, veprimet dhe shpenzimet e Kryemadhit. Më konkretisht, një prej provave kryesore që thuhet se ka SPAK sot ndaj çiftit për akuzat e mosdeklarimit të parave, korrupsionit është telefoni i sekuestruar, të cilin Kryemadhi kërkoi deri në Gjykatën e Lartë që ta rimerrte.

Për situatën në parti, Meta fajësoi paaftësinë e Monika Kryemadhit në drejtimin e saj. Mëkati madhor, që ai s’ja fal është djegia e mandateve të deputetëve në vitin 2019 dhe shkatërrimi i LSI-së në 2021-n, ku nga 17 deputetë që e la, Ilir Meta e mori me katër të tillë.

Fajësoi për këtë edhe Petrit Vasilin si të paaftë, Elona Gurin, akuzuar nga mediat si seksere e pastrimit të parave të korrupsionit të familjes e konsideroi si spiune të SPAK-ut, ndërsa gardistin që përzuri si tradhtar që nuk mbrojti Presidentin në një tavolinë ku po e ofendonin, pavarësisht se Presidenti vetë nuk ishte aty.

Nëse sheh tablonë e madhe të të gjitha deklaratave dhe daljeve publike të Ilir Metës muajt e fundit, kuptohet që bëhet fjalë për një gjendje të dëshpëruar të tij. Ai ka nisur të shohë armiq kudo. Sheh armiq brenda partisë, sheh armiq te drejtësia, sheh armiq deri edhe në krevatin bashkëshortor.

Kjo është metamorfoza e politikanit Ilir Meta, që nga slogani ‘me qetësi dhe dashuri’ është transformuar në një politikan paranojak, me shfaqje aventureske në rrjetet sociale dhe deklarata po aq aventureske në daljet publike.

Në vijim Vox News do të sjellë të gjithë emrat që Ilir Meta ka përjashtuar sëfundmi nga partia dhe ata që i ka quajtur sabotatorë. Lista nis me Endrit Braimllarin dhe kunatën e tij Floida Kërpaci si dhe bashkëjetuesin e kësaj të fundit që është vëllai i ish-sekretarit të përgjithshëm të PL-së.

Meta e ka mbuluar spastrimin e partisë si nepotizëm, por burime pranë tij bëjnë me dije se Meta është në paranoja se njerëzit e tij më të afërt janë duke furnizuar SPAK me informacione.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video