
Sot në mëngjes në redaksinë e VoxNews erdhi një foto njoftim. Reagim proteste nga pensionistët për të cilin në rastin më të mirë të vjen të reagosh, në rastin më të keq të vjen të qash. Të reagosh kur mendon që mbërrin në moshën e pensionit dhe merr një të ardhur mujore qesharake dhe të qash që minimalisht një grup i tillë kanë gjetur një mënyrë qoftë dhe nëpërmjet një letre në pemë për të thënë "të paktën na lini të qetë në hallin tonë".
Në një njoftim drejtuar kryeministrit pensionistët shkruajnë qartë: “Pensionistët nuk kanë nevojë për kartë në bankë sepse është në dëshirën e tyre ku ti tërheqin pensionet. 70 përqind e tyre i duan në postë.
Pensionistët kanë nevojë për rritjen e pensionit për të përballuar çmimet shumë të shtrenjta si dhe rritjen e taksave për të përballuar jetesën minimale të shkaktuar nga qeverisja juaj.
Dhe pensionistët do të dinë t’ju vlerësojnë në zgjedhjet e 2025 duke mos ju dhënë votën”.
Përse ky reagim i dëshpëruar i tyre? Dhe përse nga ana tjetër qeveria e quan arritje që të gjithë pensionet do të merren me bankë, duke e cilësuar madje dhe si një kursim të ardhurash. Shumica e atyre që janë në pension nuk janë update me teknologjinë dhe besimin e kanë më shumë tek ajo çfarë shohin me sy (edhe pse është qesharake) se sa të shkojnë nëpër bankomate për të tërhequr dy paràtë e një jete të tërë.
Çfarë vendimi është marrë nga qeveria?
Duke filluar nga data 3 prill 2024, të gjithë pensionistët, personat që marrin ndihmë ekonomike, përfituesit e pagesës së papunësisë, invalidët e punës, apo jetimët, do kenë mundësi të hapin një llogari pranë bankave të nivelit të dytë me kosto zero.
Ligji i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar “Për Llogarinë e Pagesave me Shërbime Bazike”, parashikon që këto kategori të mund të kenë një llogari dhe të pajisen me një kartë bankare, përmes së cilës mund të tërheqin para, të bëjnë pagesa apo deri në 5 transferta bankare brenda vendit me tarifa zero. Kjo llogari do të jetë funksionale vetëm në monedhën vendase (lekë), dhe do të shërbejë edhe për të marrë pensionin apo ndihmën ekonomike që kategoritë përfituese marrin.
Pensionet pritet të kalojnë nga marrja dorazi në postë, përmes hedhjes direkte në llogarinë bankare. Por ende nuk ka një datë se kur do të ndodhë ky ndryshim pasi fillimisht duhet të bëhet një udhëzim i përbashkët midis disa institucioneve. (Ministria e Ekonomisë, ajo e Financave, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, Posta dhe Banka e Shqipërisë). Kryeministri Edi Rama ju ka vënë ultimatum bankave, që nga ky vit të jetë bërë fakt që pensionistët ta tërhiqen pagesën mujore në bankë.
Sipas ligjit të ri të botuar në Fletoren Zyrtare, bankat tregtare në vend janë të detyruara të hapin llogarinë pa pagesë, por mund të refuzojnë vetëm kur rezulton se po shkelet ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, apo në rastet kur konsumatori ka një llogari tjetër ekzistuese në një bankë tjetër në Shqipëri, e cila e lejon atë të përdorë shërbimet bazike.
Në rast të refuzimit të padrejtë, qytetarët mund të ankohen pranë Bankës së Shqipërisë, e cila mund të kërkojë nga bankat e nivelit të dytë, hapjen e kësaj llogarie brenda 15 ditëve pune (pa fundjavën).
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.