Fran Frrokaj i dënuar nga GJKKO u lirua nga amnistia/ PS, Rithemelimi dhe PD heshtin! (Gënjeshtra politike)

24 Prill 2024, 14:05Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fran Frrokaj

Ditën e sotme nisi zbatimi i amnistisë penale, ku do të përfitojnë rreth 800 të dënuar.

Ministri Ulsi Manja, sqaroi se asnjë zyrtar i lartë, i cili është dënuar nga GJKKO, nuk përfiton nga amnistia penale.

Por në videon e mëposhtme shohim se si del nga burgu i Reçit, ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

Frrokaj ka përfituar nga amnistia penale, në daljen e burgut ai u shpreh se: Uroj që askush të mos e provojë eksperiencën e burgut.

Frrokaj u dënua në muajin tetor të vitit 2022 me 3 vite burg për veprën penale shpërdorim detyre, për tjetërsim pronash tek “Rana e Hedhun” në Shëngjin.

Ish-kryebashkiaku i Lezhës, është dënuar edhe nga Gjykata e Posaçme me 1 vit e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe tjetërsim prone.

Ndër të tjera, Frrokaj është dënuar që të mos ushtrojë funksione publike për 5 vjet.

Rithemelimi dhe PS në votimin e Amnistisë Penale, u shprehën se nuk do lirohet asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Por shembulli i parë se si kjo amnisti ishte një favorizim dhe gënjeshtër politike është lirimi nga qelia i Fran Frrokaj.

Burime për VoxNews thanë se do kemi lirime të tjera të zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posaçme.

Deri tani nuk kemi asnjë reagim edhe nga Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha, e cila ishte kundër kësaj amnistie duke e quajtur: Pazari i radhës.

Kjo ndoshta vjen për shkak se ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frokaj vjen nga radhët e Partisë Demokratike dhe PD ka zgjedhur të heshtë.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video