
Gara për protagonizëm me SPAK e një pjese të prokurorëve të rretheve po shndërrohet në hetime, kërkesa e vendime mediokre, që nëse nuk ndërmerren nga paaftësia, kanë si prapavijë gjobëvënien ndaj bizneseve.
Rasti konkret mbërrin këtë të enjte nga Shkodra. Prokuroria e Shkodrës njoftoi me bujë sekuestrimin e bizneseve dhe pasurive të shtetasit Ago Gjolaj.
Prokuroria thotë se sekuestrimi i tyre është bërë në bazë të një procedimi penal të nisur para shtatë vitesh me akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale.
Dosja është hetuar nga prokurorja Blerta Hamza. Sipas këtij njoftimi, prokurores iu deshën shtatë vite që të zbulonte se biznesi në fjalë, një ndër më të mëdhenjtë në Shqipëri në fushën e shpërndarjes së pijeve energjike dhe produkteve të tjera për të cilat gëzon të drejta ekskluzive distribucioni është përdorur për pastrim të produkteve të veprës penale.
Prokurorja arrin në këtë konkluzion pa marrë më parë në pyetje askënd nga kompania, madje as vetë biznesmenin, Ago Gjolaj të akuzuar për veprën penale. Prokurorja nuk referon asnjë të dhënë financiare nga bilancet e kompanisë të biznesmenit Gjolaj, të cilat janë publike dhe të aksesueshme lehtësisht në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Ajo citon një kontratë të lidhur nga një e afërme e Ago Gjolajt për blerjen e një mjeti lundrues në Malin e Zi me vlerë 300 mijë euro. Për t’i shtuar dozat e protagonizmit, prokuroria thotë se mjeti është luksoz dhe se është blerë në Mal të Zi nga një person i përfshirë në aktivitete kriminale dhe i akuzuar për pastrim parash.
Pa provuar më parë burimin e 300 mijë eurove, as fjala luksoz dhe as e shkruara e shitësit në Mal të Zi nuk mund të përbëjnë prova në gjykatë që të sekuestrohet një biznes i tërë në Shqipëri, që punëson qindra persona.
E para, 300 mijë eurot vështirë se mund të konsiderohen luks sot në Shqipëri, kur çmimi i një apartamenti po shkon drejt këtyre shifrave.
E dyta, nuk është as detyra dhe as përgjegjësia e blerësit që të kërkojë dëshmi penaliteti për shitësin, aq më tepër që në këtë rast ka qenë, është, apo mund të jetë subjekt drejtësie i një vendi tjetër.
Këto janë arsyet, që më shumë se sa një vepër penale hetimi 7-vjeçar i prokurores Blerta Hamza është në rastin më të mirë një investim për protagonizëm dhe në rastin më të keq një përpjekje për gjobëvënie ndaj një biznesi.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.