
Një tjetër procedurë e Korporatës së Investimeve Shqiptare është anuluar, për shkak të gabimeve në dokumente që sollën mos interesimin e firmave private. Në dokumentet e hulumtuara nga Vox News rezultoi se ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare kishte pasaktësi në harta dhe në dokumentet shoqëruese, ku njëherë dilte te Liqeni dhe njëherë të ish-vilat gjermane, në afërsi të Rrugës së Elbasanit.
Duket se, pas denoncimeve të shumta dhe projekteve shumë të debatuara, Korporata ka vendosur të tërhiqet të paktën disa javë para zgjedhjeve, për të fshehur dorën dhe më pas për ti ripublikuar. Por gabimet me apo pa dashje kanë sjellë një pështjellim te të gjithë, ku ka dyshime se ndryshimi i hartave është bërë me qëllimin e tjetërsimit të pronave të radhës shtetërore.
Natyrisht, vlera më e madhe e truallit apo ndërtimeve është më e lartë te Liqeni Artificial ku dhe firmat private kanë interes. Shteti merr përqindje në ndërtim, teksa privatët e shfrytëzojnë për njësi banimi, shërbimi apo edhe hotel. Por, kush përfiton nga këto gabime?!
Natyrisht që, me anullimin e projektit te ish-vilat gjermane, i hapet rruga ndërtimit në zonën e Liqenit. Dyshimet janë se gabimet janë bërë me qëllim, teksa edhe ankandi që do të ribëhet tashmë mund të jetë formal.
Në njoftimin e anulimit, Korporata shkruan se emri i projektit të investimit është zhvillimi dhe menaxhimi i pronave shtetërore, ku nën projekti është “Godina e re e Bibliotekës Kombëtare”. Titulli i kontratës është zhvillimi multi-funksional në rrugën “Gramoz Pashko”, Tiranë, ish-“vilat gjermane”.
“Ky njoftim ju komunikon vendimin e Korporatës për anullimin e procedurës konkurruese të nisur më 13 Mars 2025 për përzgjedhjen e një Partneri Privat për zbatimin e kontratës ‘zhvillimi multifunksional në rrugën ‘Gramoz Pashko’, Tiranë (ish-vilat gjermane)’, si pjesë e nën-projektit të investimit ‘Godina e re e Bibliotekës Kombëtare’. Arsyeja për anullim është: numri i pamjaftueshëm i aplikimeve të dorëzuara për fazën I të procedurës konkurruese brenda afatit për dorëzimin e aplikimeve të përcaktuar në Dokumentin e Kualifikimit” thuhet në dokumente.
Në fillim të muajit prill 2025, VoxNews denoncoi veprimet e Korporatës së Investimeve Shqiptare, një institucion që u ngrit nga hiçi për të zaptuar pronat publike dhe për t’i shndërruar në hotele, restorante, bare apo apartamente private.
“Një nga projektet që e ka në vijim është ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare. Por, këtu ka një problem. Të paktën në dukje dhe me letra; në hartë Biblioteka e re do të ndërtohet te ish-vilat Gjermane, në afërsi të Qytetit Studenti. Ndërkohë, në projektin e publikuar së fundmi, nga Korporata, del se Biblioteka do të ndërtohet në ish-territorin e Gardës së Republikës, në afërsi të Digës së Liqenit. Tani, një gafë me apo pa dashje?! Dhe kujt i intereson ky gabim i bërë nga Korporata, e cila jep disa vende të ndryshme. Natyrisht, vlera më e madhe e pronës është te Kodrat e Liqenit Artificial dhe jo te ish-vilat Gjermane. Pikërisht kjo vlerë mund të jetë arsyeja përse u ndryshua ma apo pa dashje!”, denonconte redaksia jonë.
Vox News ka hulumtuar dokumentet e vetë Korporatës për këtë projekt. Në “dokumentin e kualifikimit” del harta se Biblioteka Kombëtare do të ndërtohet te ish-vilat Gjermane, madje në dokument jepen edhe koordinatat. Në këto koordinata rezulton se Biblioteka do të ketë një sipërfaqe të konkursit prej 5.219 m2. “Sipërfaqja maksimale e ndërtimit mbi tokë brenda zonës së konkursit të jetë 60.000 m2” thuhet në këtë shkresë.
Por një paragraf tjetër, “përgënjeshtron” hartën dhe gjithçka. Korporata shkruan se siti i konkursit për zhvillimin multi-funksional ndodhet në zonën e ish-“vilave gjermane”, në rrugën “Gramoz Pashko”. Pas kësaj çoroditje, Korporata ka publikuar edhe projektin e Bibliotekës. Dhe gjejeni se ku do të ndërtohet; te Kodrat e Liqenit Artificial, një godinë shumëkatëshe, e cila do të ketë brenda edhe barë dhe restorante! Sërish do të ndërtohet me planin e bashkëpunimit me privatin, ndërsa nga maketi duket se do të zërë shumë territor të Liqenit.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016