
Dosja ndaj Florian Sulejmanit ka qenë veçse një “flluskë sapuni”, ku njerëzit e drejtësisë së re në Berat e kanë shpërdoruar në mënyrën më të keqe të mundshme. Ashtu siç edhe paralajmëroi VoxNews, Gjykata e Tiranës i ka hequr pezullimin nga detyra kreut të AMP-së, duke shkruar se “u pezullua në shkelje me ligjin”. Fillimisht, pezullimi u la në fuqi në Berat në rivlerësimin e masës së sigurisë, por dosja u transferua në Tiranë.
Një vendim që duhej të merrej edhe para pezullimit, pasi zyra e drejtorit të AMP-së ndodhet në Tiranë dhe jo në Berat! Madje, ai është titullari i një institucioni që vepron me një ligj të veçantë, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, dhe për rrjedhojë çështja duhej të shkonte në SPAK. Prokuroria dhe Gjykata e Beratit e kuptuan se e kishin djallosur, teksa për të mbuluar atë që s’thuhet e çuan në Prokurorinë dhe Gjykatën e Tiranës, si një masë paraprake.
Por, çdo të ndodhë tashmë?
Veprimet e Beratit i ngjasojnë një “komploti”, me shumë interesa rreth e rrotull. Me njerëz që, si hakmarrje për vendimet e Sulejmanit, vepruan tinëzar, duke e pezulluar në një drejtësi periferike. Po tani që ka vepruar dhe vendosur Gjykata e Tiranës, ku do të “fshihen?!
Normalisht, hetimi i njerëzve të drejtësisë, bëhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila mund të veprojë tashmë jo për Sulejmanin, por për qarqet e drejtësisë në Berat, të cilët veprojnë për interesa tepër të ngushta dhe personalë. Por kur drejtësia kthehet në personale apo për hakmarrje, kemi të bëjmë me një mori shkeljesh dhe veprash penale.
Në seancën e mbajtur para pak ditësh në Tiranë, përfaqësuesi i organit të prokurorisë tha se “veprimet e mëparshme të zyrtarit nuk kishin sjellë pasoja të drejtpërdrejta në funksionimin e institucionit”. Normalisht që s’kishin sjellë, pasi Sulejmani veçse zbatoi ligjin për AMP-në, ku shkruhet se mund të ndërmarrë edhe transferime.
Gjatë seancës me dyer të mbyllura, prokurori është shprehur se nuk ekzistojnë kriteret që masa e pezullimit nga detyra të qëndrojë në fuqi. Sepse, sipas prokurorit, urdhri i kreut të AMP për të transferuar dy oficerë, njërin në Dibër dhe tjetrin në Fier, nuk ka shkaktuar pasojë, pasi ata mund të zëvendësoheshin me oficerë të tjerë.
Vendimi i Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës, për t’i hequr pezullimin, ishte tepër i vonuar, por i drejtë! Madje, ka qenë në unison të analizës së bërë edhe nga VoxNews, ku pas hulumtimit të dosjes me ligjet apo kodet, rezultonte se njerësit e drejtësisë në Berat veçse përdhosën në mënyrën më banale ligjet e shtetit shqiptar, disa prej të cilave të miratuara në Parlament me 3\4 e deputetëve.
Madje, pezullimi i drejtorit të AMP-së, Florian Sulejmani, ishte në kundërshtim të hapur edhe me vetë ligjin për funksionimin e vetë SPAK-ut apo të Gjykatës së Posaçme, pasi hetimi dhe gjykimi i drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura është kompetencë e tyre.
“Prokuroria dhe Gjykata e Beratit ka marrë atributet e kësaj akuze, duke sfiduar hapur Prokurorinë e Posaçme, pasi jo vetëm që nuk e deleguan në këtë organ akuze, por vijuan dhe kërkuan në gjykatë një masë sigurie”, do të citonte VoxNews para pak ditësh. Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Beratit është “mburrur” se ka analizuar edhe ligjin për “policinë gjyqësore” apo ligjin për “funksionimin e AMP-së”. Por e ka lexuar gabim!
Në një nga nenet e ligjit për AMP-në, shkruhet teksualisht; Drejtori i Përgjithshëm emëron, transferon, liron dhe përjashton punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit administrativë! Ku është shkelja me transferimin e punonjësve?! Apo më saktë, çfarë vepre penale ka kryer drejtori kur ka zbatuar ligjin e AMP-së?!
Dhe më kryesorja, pyeste VoxNews: Çfarë lidhje ka Prokuroria e Beratit me drejtorin e AMP-së që vepron në Tiranë?! Padijenia e Beratit konsistonte se as nuk e kishin lexuar nenin 16 të ligjit për AMP-në, ku përgjegjësitë e Drejtorit të Përgjithshëm ishin se “emëronte, transferonte, lironte dhe përjashtonte punonjësit e Agjencisë dhe punonjësit administrativë”.
Duket se çorba e Beratit mund të ishte orkestruar tjetërkund, pasi titullarët e institucioneve që veprojnë me ligj hetohen vetëm nga Prokuroria e Posaçme. Neni 75, fraksion a) i ligjit të SPAK-ut, sanksionon se; “Kompetencat e Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar akuzat penale kundër Presidentit te Republikës, Kryetarit te Kuvendit, Kryeministrit, .... dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj”.
Aq këllqe mund të ketë pasur Prokuroria dhe Gjykata e Beratit sa të marrë kompetencat e SPAK-ut?! Tani, nëse ata kanë shpërdoruar detyrën, apo mund të jenë nxitur nga palë të treta, si dhe e kanë përdorur çekiçin dhe peshoren e drejtësisë në mënyrë personale, a mos ndoshta ka ardhur koha që vetë SPAK-u ti hetojë?!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016