
Korporata e Investimeve Shqiptare, një institucion që u ngrit nga hiçi për të zaptuar pronat publike dhe për t’i shndërruar në hotele, restorante, bare apo apartamente private, është kthyer në epiqendrën e qeverisë. Të paktën ekonomikisht, ku po “qerasen” klientët e saj.
Një nga projektet që e ka në vijim është ndërtimi i Bibliotekës Kombëtare. Por, këtu ka një problem. Të paktën në dukje dhe me letra; në hartë Biblioteka e re do të ndërtohet te ish-vilat Gjermane, në afërsi të Qytetit Studenti.
Ndërkohë, në projektin e publikuar së fundmi, nga Korporata, del se Biblioteka do të ndërtohet në ish-territorin e Gardës së Republikës, në afërsi të Digës së Liqenit. Tani,
Një gafë me apo pa dashje?! Dhe kujt i intereson ky gabim i bërë nga Korporata, e cila jep disa vende të ndryshme. Natyrisht, vlera më e madhe e pronës është te Kodrat e Liqenit Artificial dhe jo te ish-vilat Gjermane. Pikërisht kjo vlerë mund të jetë arsyeja përse u ndryshua ma apo pa dashje!
VoxNews ka hulumtuar dokumentet e vetë Korporatës për këtë projekt. Në “dokumentin e kualifikimit” del harta se Biblioteka Kombëtare do të ndërtohet te ish-vilat Gjermane, madje në dokument jepen edhe koordinatat.
Në këto koordinata rezulton se Biblioteka do të ketë një sipërfaqe të konkursit prej 5.219 m2. “Sipërfaqja maksimale e ndërtimit mbi tokë brenda zonës së konkursit të jetë 60.000 m2” thuhet në këtë shkresë.
Por një paragraf tjetër, “përgënjeshtron” hartën dhe gjithçka. Korporata shkruan se siti i konkursit për zhvillimin multi-funksional ndodhet në zonën e ish-“vilave gjermane”, në rrugën “Gramoz Pashko”, një zonë të rëndësishme të Tiranës, e cila shtrihet në një mbivendosje mjedisesh të larmishme urbane dhe ofron një mundësi të veçantë për të harmonizuar tipologji dhe stile të ndryshme jetese.
Ndërkohë, pas kësaj çoroditje, Korporata ka publikuar edhe projektin e Bibliotekës. Dhe gjejeni se ku do të ndërtohet; te Kodrat e Liqenit Artificial, një godinë shumëkatëshe, e cila do të ketë brenda edhe barë dhe restorante.
Sërish do të ndërtohet me planin e bashkëpunimit me privatin, ndërsa nga maketi duket se do të zërë shumë territor të Liqenit.
Tashmë, megjithë këto harta dhe projekte, të shohim lëvizjen e radhës së Korporatës, e cila vijon që çdo ditë të tjetërsojë prona publike, për t’ia kaluar privatëve.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016