“Pakot e lëmoshës”, Flamur Golemi i Gjirokastrës shpërndan ushqime 45 ditë para zgjedhjeve!

27 Mars 2025, 21:44Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Flamur Golemi

Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, ka finalizuar ditët e fundit një tender tepër të dyshimtë. 45 ditë para zgjedhjeve parlamentare, institucioni vendor që ai drejton do të shpërndajë pako me ushqime.

Një veprim tepër i ulët i Golemit, i cili për të marrë vota ka shfrytëzuar varfërinë. Më saktë, ai nuk po shpërndan ushqime, por “lëmoshë”, në familjet me probleme të mëdha ekonomike.

Një shfrytëzim i postit dhe parave publike, ku po përdoret çdo mjet për të marrë dhe “blerë” votën. Por, sërish me “pako lëmoshë”?!

“Pakot e lëmoshës”, Flamur Golemi i Gjirokastrës
Faksimile: Njoftimi i tenderit që hapi Bashkia e Gjirokastrës për të shpërndarë pako me ushqime

“Pakot e lëmoshës”, Flamur Golemi i Gjirokastrës

 

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Bashkia e Gjirokastrës ka hapur tenderin me objekt “paketa ushqimore”. Në dokumente shkruhet se është bërë me programin “askush të mos ngelet pas”, por ky program është për grupe në nevojë, që t’u sigurohet streha, rrugët dhe facalitete të tjera.

Aq më tepër që Golemi ka pritur muajin parazgjedhor që të hapë procedurën, duke blerë ushqime. Zakonisht, këto pako shpërndahen te komunitete të pafavorizuara dhe në kushte të keqe ekonomike. Por, të përdorësh ushqimin për vota është një abuzim i pastër me detyrën.

Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, “pakoja e lëmoshës” do të ketë makarona, 1 vazo salçë, 1 bidon 5 litra me vaj luledielli. Gjithashtu, do të ketë 6 pako me oriz 500 gramë, 3 kilogramë fasule, 1 detergjent 3 kg për rroba, 6 kilogramë miell, 4 kilogramë sheqer, 1 pako me biskota, 4 qesë me kripë dhe 4 qese nga 500 gramë me thierza.

Tenderi është bërë në datën 26 mars 2025, teksa në letrat thuhet se ushqimet duhet të jenë të grupuara në pako për çdo familje. Gjithsej 80 pako. “Operatori ekonomik i renditur i pari, duhet të paraqitet pranë autoritetit kontraktor brenda 24 orëve nga momenti i publikimit të njoftimit të fituesit. Afati i lëvrimit të mallit do të jetë 10 ditë nga momenti i marrjes së njoftimit të konfirmimit të fituesit nga sistemi pas afatit të ankimimit” thuhet në dokumente. Pra, pakot do të shpërndahen menjëherë!

“Pakot e lëmoshës”, Flamur Golemi i Gjirokastrës
Faksimile: Denoncimi i VoxNews për tenderin e disa muajve më parë nga Bashkia e Sarandës

Në fund të vitit të kaluar, redaksia e VoxNews publikoi një shkrim me titull “Erdhën zgjedhjet, Bashkia e Sarandës shfrytëzon Vitin e Ri për fushatë; 250 pako me ‘miell, oriz, vaj, sheqer ...’”.

Bashkia e Sarandës shfrytëzoi festat e fundvitit për të shpërndarë qindra pako me ushqime, teksa bëri gati 250 pako me miell, oriz, vaj, sheqer etj. “Një ‘lëmoshë’ për të marrë vota, ku duket se klasa politike ende sot pas 34 vitesh nga rënia e diktaturës i përdor banorët si ‘kavie’”, shkroi redaksia jonë.

Edhe në atë kohë u shpërnda sheqer, miell, makarona, oriz dhe vaj. Madje edhe pako me kadaif, pije freskuese, kafe dhe qese plastike.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video