
Ujë, drita, asfalt, vende pune dhe legalizime! Këto kanë qenë "premtimet" e politikanëve në disa zgjedhje të fundit, lokale apo të përgjithshme. Rëndom përdoret pushteti, njerëzit, institucionet vetëm e vetëm që t'u merret vota, me hir apo me pahir. Me të mira apo me të keqe, pushteti e gjen gjithmonë një mënyrë që t'i mbledhë pas vetes.
Pavarësisht se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka "bllokuar" disa institucione, duket se Kadastra është totalisht në shërbim të votëa. Të paktën në rrethin e Fierit, ku "makineria" e zv.kryeministres Belinda Balluku ka zbarkuar në të gjitha bashkitë. Grupe nga Tirana udhëtojnë çdo ditë në 6 bashkitë e qarkut, ku janë vendosur drejtuesit dhe koordinatorët
Por, nuk qëndrojnë pas edhe krerët e bashkive, ku njëra prej tyre vepron hapur. Bëhet fjalë për Majlinda Bufin e Roskovecit, ose siç njihet "Sulltanesha", për pasurinë dhe drejtimin shumëvjeçar.
Paraditen e datës 19 mars 2025, kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi, pa iu dridhur aspak qepiku dhe pa kurrfarë frike do të bënte një postim në rrjetin social "facebook".
"Mirëmëngjes. Me lajmin se rreth 300 dosje janë plotësuar me elementët e duhur nga grupet e terrenit dhe për gati 90 banesa janë gjeneruar Vendimet e Legalizimeve/Çertefikatat e Pronësisë në njësitë Roskovec e Strum, ju urojmë një ditë të bukur" shkruan Bufi.
Një postim kurajoz, duke qenë se aktualisht është e ndaluar dhënia e legalizimeve dhe certifikatave për zgjedhje. Por, "grupet" e Tiranës i kanë dhënë forcë kësaj kryetareje, e cila merr guximin dhe e deklaron edhe publikisht. Por nëse institucionet që kontrollojnë votën dhe zgjedhjet si policia, KQZ, prokuroritë apo edhe vetë SPAK-u bëjnë takime në zyra, a kanë filluar ndonjë verifikim në terren? Një fakt është ky, madje publik ku hetuesit e BKH-së apo prokurorët e SPAK-ut mund të nisin një hetim.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.