Tuneli Llogarasë kushtoi 230 milionë euro, ARRSH hap tenderin e ri 13.5 milionë euro për rrugët lidhëse!

5 Mars 2025, 17:21Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Tuneli Llogarasë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka gati një tjetër super tender për tunelin e Llogarasë. Megjithëse kushtoi plot 230 milionë euro, drejtori i ARRSH-së Gentian Gjyli, ka akorduar një shumë prej 13.5 milionë eurosh. Vendimi ka ardhur nga drejtori i këtij Autoriteti, i cili javët e fundit ka mësuar edhe “rrugën” për në SPAK, ku dhe ka dëshmuar për paraardhësit e tij, të arrestuar dhe proceduar penalisht.

Por, me këto veprime duket se edhe Gjyli mund të ketë të njëjtin fat, pasi çdo javë institucioni që ai drejton tenderon miliona euro. Për ish-drejtorët nën akuzë, Balluku ka mbajtur qëndrim të ftohtë, duke mos bërë asnjë deklaratë publike, pavarësisht se çdo javë ajo dilte krahë tyre në kantieret e hapura.

Tashmë, ka gjetur një “drejtor” të ri, ku në çdo kantier rruge që ajo shkon ka në krahë Gentian Gjylin, i cili duket se vetëm sa i “noterizon” tenderët e Ministrisë së Infrastrukturës. Por, në fund përgjegjësia bie mbi drejtuesit e ARRSH-së dhe jo të ministrisë, të cilët gjithmonë ia hedhin paq. A do të ndodhë edhe me Tunelin e Llogarasë, një vepër që është denoncuar në SPAK dhe që po hidhen të tjera miliona?!

Tuneli Llogarasë kushtoi 230 milionë euro, ARRSH hap tenderin e ri
Faksimile: Tenderi i hapur nga ARRSH për rrugët lidhëse në Tunelin e Llogarasë

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin me objekt “ndërtim i rrugëve lidhëse në Tunelin e Llogarasë”. Fondi limit i kësaj procedure është plot 1,333,333,333 lekë, ose e konvertuar në euro shuma shkon në plot 13.5 milionë euro. Mësohet se tenderi do të bëhet në javët në vijim, teksa bën fjalë për “punime ndërtimi për autostrada, rrugë”.

Procedura vjen disa javë pasi institucionet shtetërorë po përgatiten për vendosjen e tarifës së kalimit në Tunelin e Llogarasë, që shkurton distancën nga Orikumi në Palasë. Disa javë më parë, redaksia jonë publikoi procedurën e ARRSH-së për tenderin me vlerë 3.1 milionë euro.

Këto para’ do të shërbenin për vendosjen e disa pajisjeve për të vjelë taksën prej 5 eurosh që është parashikuar të vendoset brenda një kohe të shkurtër. Tuneli u hap para verës 2024, teksa qendroi i hapur disa muaj. Mbyllja u justifikua me disa punë të pabëra. Megjithatë, gjatë kësaj kohe brenda tunelit është bërë vendosja e disa tubacioneve të ujësjellësve, që çojnë ujë në resortet e Investitorëve Strategjikë. VoxNews ka publikuar edhe dokumentet e këtyre procedurave, të cilat janë fituar nga kompania “Gjoka”, e cila ka qenë një nga firmat që ndërtoi tunelin.

Vepra e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë shkoi në plot 230 milionë eurosh, me TVSH. Fitues të procedurës së ndërtimit ka qenë një bashkim operatorësh, të kryesuar nga firma turke “INTEKAR YAPI...” dhe shqiptarja “GJOKA”. Punimet ishin parashikuar për 37 muaj, por vepra përfundoi para kohe për shkak se të gjitha energjitë e firmave shkoi në atë vepër, duke “harruar” edhe veprat e tjera si tuneli i Murrizit, i cili ka kaluar çdo afat dhe tashmë është premtuar hapja në 2025-ën.

Fillimisht, qeveria tentoi që ndërtimin ta jepte me koncesion, ku ndërtimi do të bëhej me paratë e firmave private. Por, asnjë kompani nuk shfaqi interes dhe më pas punimet u financuan me paratë e buxhetit. Ende nuk ka informacion nëse shuma e mbledhur e taksës do të shkojë për mirëmbajtje apo do të kalojë në buxhet, që nga ndërtimi i kësaj vepre pësoi një “gropë të madhe”.

Duket se, i gjithë investimi është bërë për resortet e pasanikëve në bregdetin e Jugut, pasi me studimet e kryera vjelja e tarifës nuk mund të kthejë të gjithë koston e investimit.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video