
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar një sasi e madhe mishi pule e importuar nga Brazili e cila ka rezultuar me prani të "Salmonella Typhimurium".
Mësohet se ngarkesa e bllokuar është 18.5 ton.
“Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës”, njofton AKU.
Nuk dihet ende se cila është kompania që ka importuar ngarkesën me produkte pule.
Rasti është kapur në inspektim nga AKU dhe më pas është dërguar për të bërë analiza të thelluara.
Njoftimi i Autoriteti Kombëtar i Ushqimit:
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe në funksion të garantimit të sigurisë ushqimore dhe mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar para disa ditësh gjatë proceseve të kontrollit të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.
Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.
Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguron publikun se situata është në ndjekje të vazhdueshme dhe se çdo veprim është ndërmarrë në funksion të transparencës, sigurisë dhe mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve.
Për çdo zhvillim të mëtejshëm, AKU do të vijojë të informojë në mënyrë të saktë dhe të përgjegjshme.
Drejtori i AKU-së fushatë për tu bërë deputet në Librazhd:
Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Olsi Komici është futur në listën e PS për Deputet në qarkun e Elbasanit, për tu zgjedhur përfaqësues i qytetarëve të Librazhdit në Legjislaturën e ardhshme.
Aktualisht Komici është në listë të hapur në qarkun e Elbasanit, ka ushtruar edhe profesionin e avokatit në periudha të ndryshme kohore.
Siç duket dhe nga fotot e mëposhtme Komici ka hequr “kostumin” e drejtorit të AKU-së dhe po kërkon votat e qytetarëve të Librazhdit për tu zgjedhur deputet në vend të Taulant Ballës.
Ministrja e Denaj ka komanduar, Manush Kullolli drejtor i përgjithshëm të AKU-së dhe është publikuar në Fletore Zyrtare.
Në dokumentin e mëposhtëm shkruhet se Kullolli është i përkohshëm, ky dokument të bën që të kuptosh se fati i Kullollit do shihet pas zgjedhjeve të 11 Majit.
Nëse Olsi Komici zgjidhet deputet do shikojmë nëse do mbajë mandatin e deputetit apo do rikthehet në zyrën e drejtorit të AKU-së./VoxNews