Zbardhen akuzat e reja për ish-drejtuesen e SHISH, detaje si u transferuan në Gjermani qindra mijëra euro

9 Nëntor 2026, 23:43Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zbardhen akuzat e reja për ish-drejtuesen e SHISH, detaje si u transferuan
Vlora Hyseni

Gazetari Eni Ferhati ka diskutuar çështjen e ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, ndaj së cilës ai thekson se rëndojnë edhe dy akuza të tjera, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe pastrimi i parave.

Sipas Ferhatit, hetuesit kanë gjurmuar tri transferta financiare drejt Gjermanisë, të kryera nga kompani të lidhura me Ergys Agasin drejt subjekteve që dyshohet se kanë lidhje me dy vëllezër të Hysenit.

“Për ish-drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni janë regjistruar në regjistrin e veprave penale edhe dy vepra të tjera për të, duke rënduar ndjeshëm pozitën penale të zonjës Hyseni. Bëhet fjalë për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe po ashtu edhe të veprës penale të pastrimit të parave. Nga vijimi i hetimeve dhe ekspertimi kryesisht i aparatëve telefonik por dhe veprime të tjera hetimore që kanë kryer prokurorët e posaçëm Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, janë gjurmuar tre transferta në drejtim të Gjermanisë nga kompani të lidhura me Ergys Agasin në dosjen e AKSHI-t”, tha gazetari.

Ferhati nënvizon se dy prej transfertave, kanë përfunduar në një kompani, ndërsa një transfertë tjetër prej rreth 450 mijë eurosh është anuluar.

“Bëhet fjalë për dy transferta nga 250 mijë euro që kanë përfunduar në një kompani të lidhur me një prej vëllezërve të Vlora Hysenit dhe nga ana tjetër një transfertë tjetër prej afro 450 mijë euro që është nisur po ashtu në një kompani tjetër të lidhur me një vëlla tjetër të zonjës Hyseni. Ttransferta e dytë prej 450 mijë euro në fakt është anulluar për shkak se kompania në Gjermani ku do të kalonin lekët ishte e falimentuar”, tha ai.

Ferhati shton se sipas dyshimeve të Prokurorisë së Posaçme, këto shuma mund të kenë burim nga afera e AKSHI-t dhe të jenë përdorur si formë ryshfeti në këmbim të informacioneve dhe mbështetjes për Agasin.

“Sipas Prokurorisë së Posaçme ka dyshime që këto para që janë transferuar drejt Gjermanisë kanë qenë kryesisht paratë që janë derivuar nga afera në dosjen AKSHI, ku janë bërë manovra nëpërmjet kompanive të lidhura me Ergys Agasi dhe persona të tjerë të cilët kanë rezultuar përgjegjës, për të kaluar si formë ryshfeti dhe korrupsioni drejt njerëzve të Vlora e Hysenit këto shuma të konsiderueshme parash në këmbim të informacioneve dhe mbështetjes që kjo e fundit i jepte Agasit të paktën gjatë arratisë që është dokumentuar, por ndoshta edhe kur ai nuk ishte person në kërkim”, tha Ferhati.


Video