SHËNIM/ 'Dritëhijet' e kandidatëve të rinj më të VOTUAR në Shqipëri të PS!

15 Maj 2025, 11:16Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
FOTO: Tërmet Peçi/ Sara Mila/ Agron Malaj/ Ceno Klosi dhe Arkend Balla

Në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, disa kandidatë të rinj të Partisë Socialiste (PS) u shquan për mbështetjen e gjerë që morën nga elektorati.

Ndër ta, Tërmet Peçi, Sara Mila, Agron Malaj, Ceno Klosi dhe Arkend Balla u renditën ndër më të votuarit në qarqet e tyre përkatëse.

Tërmet Peçi – Qarku Gjirokastër

SHËNIM/ 'Dritëhijet' e kandidatëve të rinj më
Tërmet Peçi

Tërmet Peçi ka qenë një figurë e njohur në politikën lokale, duke shërbyer si kryetar i Bashkisë së Tepelenës.

Në mars 2025, ai dha dorëheqjen nga kjo detyrë për të kandiduar si deputet në zgjedhjet parlamentare.

Në zgjedhjet e mëparshme lokale, Peçi u rendit si kandidati më i votuar i PS-së në nivel kombëtar, duke marrë 82.67% të votave në Tepelenë.

Ky rezultat e pozicionoi atë si një nga figurat më të fuqishme në terren për PS-në. Edhe numri i 9468 votave e bën atë më të fuqishmin e qarkut politikisht.

Sara Mila – Qarku Elbasan

SHËNIM/ 'Dritëhijet' e kandidatëve të rinj më
Sara Mila

Kandidatja më e votuar në Shqipëri, ashtu si nuk pritej kurrë është ajo e PS, Sara Mila me 18 626 vota.

Ajo ka reaguar për mediat ku shprehet se është e prekur dhe përlotur pasi kurrë nuk e kishte imagjinuar një mbështetje kaq të madhe.

Mila, një nëpunëse e Shërbimit Social Shtetëror dhe figurë e panjohur deri ditën që shpalli kandidaturën, rezulton deri mbrëmjen e së mërkurës kandidatja më e votuar mes socialistëve të listave të hapura në të gjithë vendin.

Me pothuajse dyfishin e votave nga kandidati pasardhës, Mila rivalizon në rezultat me rekordin e kapur në vitin 2021 nga ish-kreu i qarkut, Taulant Balla.

Agron Malaj – Qarku Dibër

SHËNIM/ 'Dritëhijet' e kandidatëve të rinj më
Agron Malaj

Agron Malaj, ish-kryetar i Bashkisë së Matit, dha dorëheqjen nga posti i tij në mars 2025 për të kandiduar si deputet në qarkun e Dibrës.

Përfshirja e tij në listën e hapur të PS-së për këtë qark tregon për një ambicie për të kaluar nga niveli lokal në atë kombëtar.

Malaj në këto zgjedhje parlamentare ka arritur të jetë ndër më të votuarit në Shqipëri me 12616 vota preferenciale.

Arkend Balla – Qarku Durrës

SHËNIM/ 'Dritëhijet' e kandidatëve të rinj më
Arkend Balla

Arkend Balla është një tjetër emër i ri në listën e hapur të PS-së për qarkun e Durrësit.

Balla mori u mandatuar në këtë legjislaturë, pas dorëheqjes së Rrahman Rrajës. 

Rraja u tërhoq nga politika pas dhunës që përdori djali dhe pjesëtarë të tjerë të fisit të tij, ndaj dy kushërinjve Bilbil dhe Jashar Maja.

Dhuna ndaj dy kushërinjve Maja u krye pas denoncimit të tyre për shpërthimet në gurore.

Por nga 18364 votat e marra në qarkun e Durrësit Arkend Balla duket se është më i pëlqyeri.

Ceno Klosi- Qarku i Fierit

SHËNIM/ 'Dritëhijet' e kandidatëve të rinj më
Ceno Klosi

Ceno Klosi ishte një nga kandidatët e Partisë Socialiste (PS) në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 për qarkun e Fierit.

Ai u përfshi në listën e hapur të PS-së, në qarkun e Fierit dhe ka marrë 15208 vota preferenciale.

Në kohën e kandidimit, Klosi mbante postin e zëvendësministrit të Infrastrukturës dhe konsiderohej si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Ballukut.

Përfshirja e Klosit në listën e mbyllur të PS-së u kritikua nga opozita dhe figura të tjera politike.

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi Klosin për përfshirje në blerje votash dhe e cilësoi si "krahun e djathtë" të Ballukut .

Dritëhijet dhe sfidat me SPAK

Pavarësisht suksesit elektoral, disa nga këta kandidatë janë përballur me kritika dhe probleme me drejtësinë:

Agron Malaj – Ka një kallëzim në SPAK nga Edmond Miza, banor i fshatit Madhesh i Bashkisë së Matit. Ai pretendon se kryebashkiaku i Matit  ka favorizuar vëllain e tij për ndërtimin e një HEC-i, duke shpërdoruar detyrën dhe duke favorizuar kundër ligjit familjarët e tij. Edmond Miza pretendon se atij dhe disa banorëve të tjerë, u është falsifikuar firma.

Gjithashtu, Agron Malaj është përmendur edhe për tendera në konflikt interesi në kompaninë e vëllait të tij Fatos Malaj, ndërkohë që dyshohet për përfshirje në skemën e kompanisë “5D Konstruksion” në Bashkinë e Tiranës.

Sara Mila – Sipas kreut të opozitës, Sali Berisha, suksesi elektoral i Milës buron nga mbështetja që i ka dhënë asaj Suel Çela, një drejtues i krimit të organizuar në Elbasan, i shpallur në kërkim për një listë të gjatë veprash penale.

“Suel Çela ditë e natë po zbaton porosinë e Edi Ramës për të zgjedhur deputete një Mile, Mile, Sara Mile”, paralajmëroi Berisha, duke i ndërruar një zanore në mbiemër kandidates.

Ceno Klosi- Kandidatura e tij u shoqërua me polemika, pasi ai ndodhej nën hetim nga SPAK për katër vepra penale: korrupsion pasiv, shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe mashtrim.

Këto akuza u ngritën pas një kallëzimi penal të bërë nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike.

Arkend Balla- Emri i tij mbështetet nga një grup i fuqishëm i krimit të organizuar me bazë në Durrës dhe me lidhje të forta me grupin e Elbasanit, që mbështet Sara Milen.

Kjo duket dhe nga numëri i votava i cili është pothuajse i njëjtë mes Miles dhe Ballës.

Tërmet Peçi – Kreu i PD-së Sali Berisha gjatë fushatës ka hedhur akuza të forta ndaj ish-kryebashkiakut të Tepelenës Tërmet Peçi. Sipas Berishës,Tërmet Peçi u ka dhënë 60 milionë euro drejtorëve të tij, si 5D e Tiranës.

Kujtojmë se nga zgjedhjet e 11 Majit, PS ka fituar 83 mandate, PD-ASHM 50 mandate, PSD mandate ka dalë forcë e tretë me 3 mandate, Nisma Shqipëria Bëhet 1 mandat dhe Mundësia 2 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video