
Drejtoresha e re e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili i ka dhënë një “shuplakë” të fortë ish-drejtoreshës së komanduar Aurora Polo. Kjo e fundit drejtoi RTSH-në në një periudhë tranzitore, pas dorëheqjes së Alfred Pezës. Por, drejtimi i saj u pasua nga skandale të njëpasnjëshme, që nga tentativa për të kapur Këshillin Drejtues, kandidimi i saj në shkelje për drejtoreshë apo edhe për bërjen e tenderëve të dyshimtë.
Një nga procedurat e denoncuara në vijimësi nga VoxNews ka qenë edhe tenderi 9.1 milionë euro i hapur pak para largimit nga Aurora Polo. Ajo tentoi ta përfundonte me shpejtësi, duke vendosur afate të shpejta para se të shpallej drejtoresha e re e RTSH-së.
Duket se plani i ka dështuar, qoftë nga denoncimet e redaksisë sonë dhe nga indiciet që mund të kenë shkuar te firmat e interesuara. Dyshimet kanë qenë se Polo do t’ia jepte këtë tender një firme të preferuar, një “qokë” e fundit para se të largohej.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, RTSH ka publikuar në datën 12 maj 2025 një njoftim anulimi. Bëhet fjalë për tenderin e hapur mbi kufirin e lartë monetar me objekt “shërbimin e mirëmbajtjes për rrjetin e shpërndarjes DVB-T2 për 48 muaj”.
Fondi limit i kësaj procedure ka qenë 907.816.536 lekë ose 9,156,914 euro pa TVSH. Një shumë e konsiderueshme, duke qenë se fondet për RTSH-në janë të mëdha, pavarësisht se ka pasur diskutime dhe debate mbi eficencën e vetë Radio Televizionit Shqiptar.
“Arsyet e anulimit janë për shkak se në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme” thuhet në dokumente. Është dhënë një informacion shtesë, ku citohet se “autoriteti ose enti kontraktor anulon procedurën e prokurimit në rastet kur: b) në procedurat me një fazë nuk është dorëzuar asnjë ofertë e përshtatshme, Njësia e Prokurimit propozon anulimin e kësaj procedure sipas përcaktimeve, pasi nuk është paraqitur asnjë ofertë ekonomike e vlefshme”
VoxNews ka ndjekur në vijimësi këtë procedurë të dyshimtë, pasi duket se ishte afera e fundit e Aurora Polos në prag largimi. Ajo urdhëroi bërjen me shpejtësi të një tenderi me vlerë të lartë, madje me afat 4-vjeçar.
“Të gjitha veprimet po bëhen nën rrogoz, ku po tentohet të prokurohet një vlerë e madhe, vetëm e vetëm që të ‘kënaqë’ klientët apo firmat e saj të preferuara. Por, ajo që e bën akoma më të dyshimtë këtë procedurë është se gjithçka po bëhet pa Këshillin Drejtues, me iniciativë personale të drejtoreshës, në prag të largimit. Procedurat për zgjedhjen e drejtorit të ri, duket se do të zgjaten, për shkak se ditët e fundit u shkarkuan të gjithë anëtarët e këshillit. Kuvendi duhet të zgjedhë anëtarët e rinj, të marrin postet dhe më pas të zgjidhet pasuesi i Alfred Pezës” do të denonconte redaksia jonë.
Në atë kohë, VoxNews shfletoi dokumente të RTSH-së të viteve të kaluara, ku rezulton se shpenzimet e mirëmbajtjes për këtë rrjet janë parashikuar në bazë të kontratës SLA-së për mirëmbajtjen e rrjetit të digjitalizimit.
“Vlera e parashikuar përfshin shërbimin për periudhën janar-dhjetor 2024. Kjo pagesë bazohet në kontratën për shërbimin e mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVBT2, lidhur ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të RTSH-së dhe shoqërisë ‘Rohde & Schwarz, në një periudhë 4 vjeçare nga 1 marsi 2021, në vlerën 8.795.962 euro, me vlerë vjetore 2.1 milionë euro, mujore në vlerën 183.250 euro” thuhej në dokumente.
Klanet e drejtimit të RTSH-së, duket se i shërbejnë më shumë buxhetit dhe jo përmbajtës. Asnjë prej drejtorëve të fundit nuk është kujdesur për programin televiziv, përmbajtën e tyre por për mënyrën se si t’i harxhojnë ato para’. Sipas dokumenteve, buxheti vjetor i Radio Televizionit Shqiptar është plot 28 milionë euro. Një shifër e frikshme për një televizion, por fryrja e kostove të tenderëve, marrja në punë e njerëzve dhe shpenzimet e tjera kanë sjellë këtë buxhet.
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.