
Dy firmat “armike” me njëra-tjetrën kanë bashkuar forcat për të marrë tenderin e radhës për asgjësimin e mbetjeve spitalore. Dikur, Eco Riciklim dhe Vale Recycling, të cilat kanë objekt të ngjashëm, duelonin dhe hidhnin akuza për favorizime në procedura të spitaleve lokalë, rajonalë apo universitarë.
Tashmë, disa javë që biznesmeni Klodjan Allajbeu bleu “me letra” për 60 mijë euro firmën ECO, gjërat kanë ndryshuar. Ai fitoi i vetëm tenderin e majmë të asgjësimit të mbetjeve në QSUT, teksa bashkëpunoi me firmën VALE në pronësi të Shkëlqim Mirit në tenderin me vlerë 1.2 milionë euro të Sanatoriumit.
Duket se tregu i asgjësimit të këtyre mbetjeve ka marrë një kthesë tjetër, pas “luftës” disa vjeçare mes Arbër Teqjas dhe Shkëlqim Mirit. Teqja është djali i nëndrejtoreshës së QSUT-së, teksa kishte në pronësi firmën ECO, para se t’ia shiste Allajbeut. Ai hidhte akuza, madje edhe në dokumente, ndaj firmës tjetër VALE, aq se pronari i kësaj të fundit Shkëlqim Miri u arrestua dhe procedura për abuzime me dokumentet që futej në tendera.
Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Spitali “Shefqet Ndroqi” siç edhe njihet Sanatoriumi, ka shpallur fituesin e tenderit për asgjësimin e mbetjeve spitalore, në datën 2 maj 2025.
Fitues doli çuditërisht bashkimi i operatorëve ekonomikë “V.A.L.E RECYCLING” me adresë në Fushë Kuqe, Kurbin, dhe “ECO RICIKLIM” me adresë në zonën e Metalurgjisë në Elbasan. Procedura e ndjekur në këtë rast është shërbim, marrëveshje kuadër me në afat kohor prej 48 muajsh.
Objekti i tenderit është “evadim i mbetjeve të rrezikshme spitalore, ‘Shefqet Ndroqi’, ndarë me dy lote.
“Me anë të këtij njoftimi ju bëjmë me dije se, në këtë procedurë kanë marrë pjesë operatorët ekonomikë BOE ‘V.A.L.E RECYCLING’ dhe ‘ECO RICIKLIM’, me një vlerë 115.856.000 lekë pa TVSH” thuhet në dokumente. Në fund, tenderi është firmosur nga drejtoresha prof. Dr. Silvana BALA.
Por, si u bënë bashkë këto firma? Disa javë më parë, VoxNews publikoi një investigim sesi biznesmeni Klodjan Allajbeu, që ka dosje në organet ligjzbatuese në Shqipëri dhe Kosovë, bleu për 60 mijë euro aksionet e Arbër Teqjas te Eco Rciklim dhe pas transaksionit fitoi tenderin 1.7 mln euro nga QSUT.
“Tregu i asgjësimit të mbetjeve të rrezikshme spitalore merr një kthesë tjetër, pas ‘luftës’ shumëvjeçare të firmave me njëra-tjetrën, ku nga njëra anë ishte Arbër Teqja dhe nga ana tjetër Elvis Miri. Por kur zihen dy, ‘fitues’ del i treti, të paktën me letra” do të denonconte redaksia jonë, teksa Arbër Teqja është djali i nëndrejtoreshës së QSUT-së znj. Arjana Strakosha.
VoxNews renditi faktet një e nga një, me një procedurë që datoi në shkurt 2025, për shpalljen e tenderit, më pas kalimi i aksioneve nga Teqja te ANAMARK, në pronësi 100 % të Klodjan Allajbeut, pronari i Spitalit Amerikan në Shqipëri. Çmimi i shitjes ishte vetëm 60 mijë euro, teksa në kontratë u ra dakord që shitësi, në këtë rast Teqja, do të tërheqë edhe dividentin që i takon nga shoqëria në vlerën 730.000 euro bruto brenda 6 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës së shitblerjes.
“Nëse në tenderët e spitaleve Universitarë, Rajonalë dhe Lokalë kishte ‘luftë’ mes ECO dhe VALE, kësaj herë me futjen në ‘lojë’ të Allajbeut ‘lufta’ u zhduk si me magji. Kompania ‘ECO RICIKLIM’ ishte e vetme në këtë garë nga QSUT dhe fitoi me 100 % të fondit limit. Mori çdo qindarkë të akorduar nga QSUT-ja, teksa fshiu edhe nga tregu kompanitë e tjera” shkruante VoxNews.
(Denoncimi i VoxNews për ‘luftën mes Mirit dhe Teqjas https://www.voxnews.al/investigim/lufta-per-mbetjet-spitalore-para-pushtet--dhe-influenca-mes-arber-i86863 )
Disa muaj më parë, VoxNews denoncoi një “luftë” të ashpër mes dy firmave, ECO Riciklim dhe V.A.L.E Recycling, në pronësi të Arbër Teqjas dhe Elvis Mirit. Akuzat ndaj njëri-tjetrin zbuluan disa skema të dyshuara për korrupsion me tenderët e mbetjeve spitalore.
Redaksia jonë hulumtoi dhjetëra dokumente, nga APP, KPP apo edhe nga organe të tjera që faktonin disa abuzime. Por koha kaloi dhe asnjë institucion (deri më tani) nuk ka bërë publik ndonjë hetim të mundshëm ndaj këtyre abuzimeve. Aq më tepër që dy “armiqtë” e dikurshëm janë bashkuar dhe operojnë si një trup i vetëm.
Por, nëse nuk ka vepër penale, po autoritetet e tjera përse nuk veprojnë? Aq shumë fitimprurës është ky biznes i pistë për asgjësimin e mbetjeve spitalore?! Dhe më kryesorja, a asgjëson vërtetë këto mbetje?!
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.