Rrok Gjoka dhe Ardit Metaliaj do të mirëmbajnë me 2.3 milionë euro tunelin e Llogarasë!

1 Maj 2025, 19:31Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rrok Gjoka dhe Ardit Metaliaj do të mirëmbajnë me 2.3 milionë euro tunelin e Llogarasë

Dy firma do të mirëmbajnë pajisjet dhe operimin e tunelit të Llogarasë. Një tender i hapur disa javë më parë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar është finalizuar ditët e fundit, ku fitues doli bashkimi i operatorëve “Gjoka” dhe “4 A-M”, në pronësi të Rrok Gjokës e para dhe Ardit Metaliajt e dyta.

Tenderi vjen disa javë më parë kur Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka sekuestruar dhjetëra dokumenteve të tenderëve të ndërtimit dhe mbikëqyrjes së Tunelit të Llogarasë. Procedurat e mëparshme të ARRSH-së, ku dyshohet se ish-drejtori Evis Berberi i ka dhënë tendera vetes është ende në verifikim.

Ndërkohë, kohët kaluan dhe e njëjta firmë “Gjoka” fiton gjithmonë procedura në atë zonë. Kjo firmë ishte nënkontraktore e firmës turke për të ndërtuar atë vepër, teksa ka fituar edhe procedurën e ujësjellësit në Tragjas, në një procedurë tepër të dyshimtë dhe të paracaktuar.

Rrok Gjoka dhe Ardit Metaliaj do të mirëmbajnë me 2.3

Rrok Gjoka dhe Ardit Metaliaj do të mirëmbajnë me 2.3
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe operimit të tunelit të Llogarasë

Sipas dokumenteve që ka siguruar VoxNews, Autoriteti Rrugor Shqiptar, i drejtuar tashmë nga Gentian Gjyli që më parë në kohën e Verdhos dhe Berberit ka qenë zv.drejtor, ka firmosur fituesin e tenderit të radhës për tunelin e Llogarasë. Nuk mjaftuan qindra miliona euro për t’a ndërtuar, por po derdhën edhe miliona të tjera për mirëmbajtjen apo edhe për rrugët lidhëse.

Nga dokumentet rezulton se në këtë procedurë “mirëmbajtje e pajisjeve dhe operimi i Tunelit të Llogarasë”, me fond limit 311 milionë lekë, ose 3.1 milionë euro, mori pjesë BOE “4 A-M” & “GJOKA KONSTRUKSION” me ofertë 229 milionë lekë. Oferta e dytë ishte e “ALKO IMPEX” të Arbër Abazit me vlerë 248 milionë lekë dhe oferta e tretë ishte e firmës “SALILLARI” me ofertë 245 milionë lekë. “Alko” u skualifikua, teksa fitues u shpall “Gjoka” dhe “4 A-M”.

Por, ky s’është tenderi i parë i frmës “Gjoka” që fiton në atë zonë, pasi VoxNews ka raportuar dhe publikuar më parë se fitoi edhe tenderin me vlerë 8 milionë euro për t’u çuar ujë Investitorëve Strategjikë. Në atë kohë AKUK-u ngriti një skemë, ku fillimisht studioj veprat e marrjes dhe vendosjen e tubacionit. Në dokumente shkruhet qartë se uji do të merret në Tragjas, Orikum, dhe më pas do dërgohej me stacione pompimi në Palasë, Dhërmi, Jalë, etj. Por, “rruga” kalon nga Tuneli i Llogarasë dhe këtu i gjithë tenderi bëhet nul.

Rrok Gjoka dhe Ardit Metaliaj do të mirëmbajnë me 2.3
Në foto: Denoncimi i VoxNews për tenderët e fituar nga “Gjoka” për t’u çuar ujë Investitorëve Strategjikë

Tuneli i Llogarasë u ndërtua nga një konsorcium firmash, turke dhe shqiptare. Pala shqiptare kryesohej nga firma “Gjoka”. Ndërkohë, në dokumentet e tenderit ishin vendosur klauzola për “punë të ngjashme”, teksa e vetmja firmë që ndërtoi tunelinqë kishte punë të ngjashme për ujësjellësa ishte “Gjoka”.

Një skemë e pastër, ku fituesi dihej nga të gjithë. Madje, edhe dokumentet e bëra nga AKUK-u vetëm sa i janë bashkëlidhur kësaj firme.

Ndërkohë, disa muaj më parë, VoxNews ka mësuar se AKUK-u shpalli fitues edhe firmën “Gjoka” për furnizimin me ujë të zonave bregdetare Zonat e Investimit Strategjik Draleos, Drimadhes dhe Dhërmi, të Bashkisë Himarë, Faza II.

Firma në fjalë po zbaton projektin me vlerë rreth 4.2 milionë euro përfshirë TVSH-në. “Rezulton se firma ‘Gjoka’ po e merr ujin në Dukat dhe Tragjas, do e kalojë përmes tunelit që po ndërton po ajo vetë, dhe do t’ua çojë vilave të pasanikëve. A mos ishte i paracaktuar fituesi, pasi vetë ‘Gjoka’ ndërtoi edhe tunelin?!” shkruante redaksia jonë.

Pra, të dy tenderët, me vlerë 12.2 milionë euro të fituara nga firma “Gjoka” dyshohet se janë të paracaktuar. Tashmë fitoi edhe tenderin e radhës me vlerë 2.3 milionë euro, për mirëmbajtjen e tunelit. Dokumentet janë të hapura, pasi mjafton që një organ ligjzbatues t’i kërkojë dhe do të shikojë se të gjitha letrat e ARRSH-së dhe AKUK-ut janë bërë vetëm formale.

©CopyrightVoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video