Aferat “Publiçitare” të Bashkisë Tepelenë/ Kompania e drejtorit të Tërmet Peçit, 66 milionë euro tendera

23 Prill 2025, 20:41Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kompania e drejtorit të Tërmet Peçit, 66 milionë euro tendera

Sot emisioni Plug do të jetë “Publiçitar”! Do të udhëtojmë në Tepelenë, nga ku na vijnë indiciet se skema 5D apo 5B, është zbatuar në perfeksion nga kryebashkiaku Tërmet Peçi. Bëhet fjalë për mbi 18 milionë euro që janë marrë nga fondet publike nëpërmjet një kompanie të regjistruar në emër të bashkëshortes së drejtorit të Tërmet Peçit. Shuma shkon në 66 milionë euro nëse do të llogarisim edhe tenderat që kjo kompani ka përfituar në koperim me operatorë të tjerë. Por jo vetëm kaq, tentakulat e Tërmet Peçit kanë qenë të zgjatura edhe tek fondet e bujqësisë, ku miliona euro në vend të shkonin te fermerët, kanë shkuar në kontot e Tërmet Peçit dhe njerëzve pranë tij!

Nëse keni menduar se skema të tilla si 5D apo 5B janë projekte vetëm të Tiranës nga Erion Veliaj apo Belinda Balluku, gaboheni. Një tjetër skemë abuzimi “Publiçitare”, me tenderët dhe fondet publike është ngritur në Bashkinë Tepelenë, e drejtuar që nga viti 2011 nga kryetari Tërmet Peçi.

Por si funksionon kjo skemë dhe kush fshihet pas saj? Emisioni Plug investigoi se si një kompani e themeluar nga gruaja e një zyrtari të lartë të Bashkisë Tepelenë arrin të përfitojë rreth 1.782 miliardë lekë ose rreth 18 milionë euro nga buxheti i shtetit në harkun kohor 2019-2025, duke shkaktuar tërmet “publiçitar në financat publike”, të cilat tashmë duket se do të përdoren për tërmetin e premtuar nga kryebashkiaku Peçi në zgjedhjet e 2025.

Në vitin 2015, pas fitores së zgjedhjeve lokale, kryetari i Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi, punëson Lorenc Bamin në Drejtorinë e Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit. Lorenc Bami bëhet firmëtari i shumë lejeve të ndërtimit, fondeve dhe pronave të dhëna nga Bashkia Tepelenë. Por, një vit pasi mori këtë post, gruaja e tij, Aleksandra Bami, në bashkëpunim me shtetasin Hekuran Hoxha, krijojnë kompaninë NG STRUCTURES shpk. Në nëntor 2017, Hekuran Hoxha shet 50% të aksioneve të kompanisë djalit të tij, Fatjon Hoxha, për një shumë qesharake prej vetëm 500 eurosh.

Deri në fund të vitit 2017, kompania faturon 11 milion lekë dhe deklaron një fitim prej 600,000 lekë. Një vit më vonë, faturimet e saj rriten 8 herë, duke u lidhur drejtpërdrejt me tenderët e fituar nga Bashkia Poliçan dhe Bashkia Gjirokastër. Kjo rritje galopante e financave të kompanisë të sapokrijuar lidhet drejtëpërsëdrejti me thithjen e fondeve publike, pasi në vitin 2018, nga investigimi rezulton se NG STRUCTURES hap 3 adresa sekondare, të cilat lidhen me projekte të financuara nga fondet publike:

1.  Rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Refat Keli” në Poliçan

2. Rikonstruksioni i shkollës “Asim Zeneli” dhe sistemimi i jashtëm në Gjirokastër

3. Masa inxhinierike për rrëshqitjen në kodrën e Shtufit, Gjirokastër

Në maj të vitit 2019 Aleksandra Bami shet aksionet shtetastit Fatjon Hoxha. Sipas kontratës Aleksandra Bami do të përfitojë fitimin  5.8 milion lekë të vitit 2018 dhe 19.1 milion lekë si fitim për periudhën janar-prill 2019. Në total nga shitja e aksioneve Aleksandra Bami do të përfitojë shumën bruto 24.9 milion lekë ose thënë ndryshe rreth 240.000 euro.

Por skema vazhdon, 23 ditë pas blerjes, Fatjon Hoxha i shet sërish aksionet babait të tij, Hekuran Hoxha, për vetëm 1,000 euro.

Në nenin 4 të kontratës jepen detaje dhe për detyrimet që kompania ka ndaj Aleksandra Bamit.

Neni 4

Dispozita të përgjithshme

4.1 Blerësi eshte në dijeni të plotë të detyrimeve të shoqërisë ndaj palëve të treta sipas Pasqyrave financiare të vitit 20l7 ,2018 dhe periudhës së ndërmjetme 01 janar 2019 - 30 prill 2019 (të reflektuara në QKB). Gjithashtu të vlerës së dividentit prej 11'689'100 (njembedhjete milion e gjashteqind e tetëdhjetë e nëntëmije e njëqind) lekë të cilën duhet ta likuidoje brenda datës 30.07.2019 referuar vendimit të Asamblese së Përgiithshme nr.11 datë 01 Maj 2019…

Pra edhe në këtë kontratë specifikohen detyrimet që kanë kundrejt ortakes Aleksandra Bami.

Në vitin 2019, kompania faturon 119 milion lekë dhe përfiton 10 milion lekë fitim. Në dhjetor 2020, Hekuran Hoxha shpërndan 27 milion lekë dividend nga fitimi i kompanisë për vitin 2020. Ky veprim financiar nuk është i zakonshëm dhe arsyeja e tij zbulohet vetëm 2 muaj më pas.

Më 22 mars 2021, Aleksandra Bami, Hekuran Hoxha dhe Fatjon Hoxha firmosin një tjetër Deklaratë Noteriale, ku Aleksandra Bami deklaron se nuk ka më asnjë pretendim financiar ndaj Fatjon dhe Hekuran Hoxhës.

Aleksandra Bami: Unë e nenshkruara Aleksandra Bami nën përgjegjësinë time personale, duke njohur dhe pasojat që parashikon ligji për deklaratë të rreme, referuar vendimit të Asamblesë së Përgjithshmë të shoqërisë NG STRUCTURES nr.11 datë 01.05.2019 dhe Deklaratës Noteriale nr. 2953 Rep Nr. 507 Kol, datë 09.05.2019… deklaroj se për periudhën pas datës 30.07.2019 nuk kam asnjë pretendim financiar ndaj z.Fatjon dhe Hekuran Hoxha.

Bashkëlidhur kësaj Deklarate Noteriale gjendet dhe Deklarata e datës 09.05.2019 si dhe Vendimi i Asamblesë datë 01.05.2019 nga i cili përftojmë të dhëna të rëndësishme për investigimin tonë. Sipas vendimit të asamblesë nr.11 datë 01.05.2019 Aleksandra Bami nga shitja e aksioneve do të përfitonte:

VENDIMI I ASAMBLESË

5.“Të miratojë transferimin e kuotës së ortakes Aleksandra Bami …ortakut Fatjon Hoxha në këmbim të tërheqjes së fitimit të akumuluar në shumën 5.8 milion lekë nga fitimet e vitit 2018 dhe shumën 19.1 milion lekë nga fitimi I periudhës janar-prill 2019”

6.”Likuidimi i plotë I dividentit 23.004.900 lekë duhet të likuidohet nga shoqëria NG STRUCTURES në llogarinë personale të Aleksandra Bami”

11. “Në rast të mos likuidimit të shumës neto 23.004.900 lekë Brenda afatit 30 korrik 2019 Aleksandra Bami rimerr pozicionin e saj si administrator dhe kuotën e saj që përfaqëson 50% të kapitalit…”

Por të dhëna më të rëndësishme dhe më inkriminuese për Lorenc Bamin dhe Bashkinë e Tërmet Peçit përfitohen nga Deklarata noteriale e datës 09.05.2019, ku në skenë delë një tjetër kompani që përfiton fonde nga Bashkia dhe që shërben për transferimin e lekëve, kompani e cila rezulton e regjistruar në prestanome, pasi paratë përfundojnë në xhepin e Bamit.  Në këtë dokument noterial Fatjon Hoxha deklaron:

FATJON HOXHA: Deklaroj se ditën e nesërme të punës pas likuidimit nga ana e shoqërisë IUMENTIS …përfaqësuar nga administrator Gjolek Shehu, fatura me vlerë 13.786.625 lekë në llogarinë e shoqërisë NG STRUCTURES do të transferohet në llogaritë bankare personale të Aleksandra Bamit

Sa thamë më sipër qartësohet se Bami nga kjo kompani do të përfitonte të gjithë të ardhurat që kjo shoqëri ka krijuar në dy vite por mbi të gjitha qartësohet se kush është një nga klientët privat të kësaj shoqërie përveç Bashkive Poliçan e Gjirokastër. IMUMENTIS shpk është klienti i NG STRUCTURES që inkriminon Drejtorin Bami por dhe Bashkinë Tepelenë, shkelje për të cilat do flasim në vijim të emisionit.

Rikthehemi te kompania NG STRUCTURES e cila u themelua nga gruaja e Drejtorit të Bashkisë Tepelenë dhe një shtetas nga Berati për të cilin nuk gjenden të dhëna për CV e tij apo të babait pronarë të kompanisë. E themi këtë pasi kjo kompani direkt pas themelimit si shumë kompani të tjera të krijuara nga prestanome të zyrtarëve, biznes kryesor kanë tenderat dhe lejet e ndërtimit. NG STRUCTURES sipas të dhënave të opendata.al ka përfituar pagesa nga Buxheti i Shtetit për vitet 2019-2025 në vlerën 1.782 miliard ose rreth 18 milion euro.

Por shifra është disa herë më e madhe nëse do të mblidhnim të gjithë tenderat ku kjo kompani ka qenë pjesë e bashkimeve të operatorëve fitues të tenderit. Në total, janë përfituar 66 milionë euro tendera nga grupime operatorësh ku pjesë ka qenë kompania e bashkëshortes së drejtorit të Tërmet Peçit.  Nëse do ti hedhim një sy rezulton se janë një seri tenderash me vlera të larta dhe flamuj të kuq çka ngre dyshime mbi mënyrën se si fondet publike janë dhënë në prokurime ku fituese ka qenë kompania NG STRUCTURES.

Në krye të listës qëndron bashkia e Tërmet Peçit, i cili i firmos tendera kompanisë së bashkëshortes së Drejtorit, që gjithashtu është firmëtar në procedurat tenderuese. Tërmeti i ka dhënë fonde gruas së drejtorit kryesisht për projekte si ndërtimi i vendparkimeve, furnizimi me matësa uji dhe rikonstruksioni i shkollave, me një vlerë të përgjithshme prej qindra miliona lekësh. Tenderët në Tepelenë nuk janë të vetmit që ngjallin dyshime, pasi kontrata të ngjashme janë dhënë edhe në Bashkinë Lezhë, Kavajë, Poliçan, Gjirokastër dhe Kamëz, për projekte që variojnë nga rikonstruksioni i shkollave e ujësjellësve, deri te rehabilitimi i infrastrukturës dhe ndërtimi i rrugëve.

Në listën e projekteve figurojnë kontrata me vlera të larta, si rindërtimi i 14 objekteve arsimore në Bashkinë Tiranë, për 302 milionë lekë, ndërtimi i ujësjellësit në fshatrat Pllanë në Lezhë, për 249 milionë lekë, apo ndërtimi i by-pass-it në qendrën historike të Gjirokastrës, me një vlerë prej 577 milionë lekësh, ndërtimi i rrugës Berat-Ballaban në vlerën 1.9 miliard lekë. Shumë prej këtyre tenderave mbajnë shënimin “flamur i kuq”, që tregon probleme në procesin e prokurimit publik, si mungesa e konkurrencës apo kritere të dyshimta që favorizojnë një kompani të caktuar.

Por le të mbetemi te faktet me të rënda që përbëjnë vepër penale, për të cilat SPAK duhet ta ketë një zgjidhje.

Sipas publikimeve në rrjetin social Facebook të kësaj kompanie në shkurt të vitit 2019 janë disa projekte që mbajnë firmën e Tërmet Peçi për kompaninë e drejtorit të tij Lorenc Bami. Tërmeti që di gjithcka nuk e paska ditur se po paguante drejtorin e tij dhe në shkurt të vitit 2019 i jep drejtorit të tij fondet për Rikonceprimin e bllokut të banimit Batalioni Baba Abaz. Pak ditë më vonë, po në muajin shkurt 2019 reklamohet “Rruga Salari Dukaj, projekti financohet nga FSHZH, dhe projektin e bën gruaja e Drejtorit të Bashkizë Tepelene për Zhvillimin e Teritorrit. Një tjetër projekt, që po kompania e reklamon në rrjtetet sociale është Vazhdimi i shititores përgjatë Kalasë Loti II, Parku i lojrave Tepelan apo Projekt “Agroturizëm URLA”, projekt I bërë nga Gruaja dhe miratuar leje ndërtimi nga Burri ne vitin 2018 sipas të dhënave të KLSH. IUMENTIS, është një tjetër projekt i bërë nga Gruaja dhe leje e ndërtimit është miratuar nga Burri, po sipas të dhënave të KLSH. 

Për më tepër në një nga postimet e kësaj kompani për tenderin e fituar në Bashkisë Gjirokastër shfaqet në zbatimin e punimeve Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër dhe Lorenc Bami Drejtori i Tërmetit që ligjerisht nuk mbante asnjë funksion në NG STRUCTURES, por që me këtë prezencë konfirmon dyshimin e ngritur që në krye të herës, se kush janë pronarët real të kësaj kompanie./Syri.net

Video