Policia sekuestron dhe gjobit dy skafet në Ksamil, operonin pa dokumentet përkatëse

23 Prill 2025, 19:11Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Dy mjete lundrues, një skaf dhe një gomone janë sekuestruar në Sarandë, pasi ka rezultuar se transportonin turistë, pa patur certifikatën turistike të nevojshme për kryerjen e këtij aktiviteti.

Ata u denoncuan në rrjetet sociale, pasi po transportonin turistë, dhe dukeshin të mbingarkuar.

Pronarët e mjeteve u gjobitën me nga 100 mijë lekë të reja secili.

Njoftimi i policisë:

Në lidhje me një postim të publikuar në portalin online “JOQ Albania”, ku janë fotografuar dy mjete lundruese, me persona në bord, pranë bregut në zonën “Tre Ishujt”, Ksamil, sqarojmë opinionin publik se:

Menjëherë pas publikimit të pamjeve, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Port Sarandë janë nisur në drejtim të vendit të raportuar. Gjatë kontrollit në terren, u bë e mundur konstatimi dhe verifikimi i dy mjeteve lundruese që ndodheshin në atë zonë, e cila rezulton pa kufizime të përcaktuara.

Nga verifikimet rezultoi se dy mjetet lundruese, njëra gomone në pronësi të shtetasit E. M., dhe tjetra motoskaf plastik në pronësi të shtetasit R. L., qarkullonin pa çertifikatën e operatorit turistik.

Për të dyja mjetet u mor masë administrative në vlerën 100 000 lekë secili, pasi pronarët e tyre nuk dispononin dokumentacionin përkatës për të ushtruar aktivitetin si operator turistik në det. Gjithashtu, u bë bllokimi administrativ i mjeteve në SPK Port Sarandë.

Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë siguron qytetarët dhe turistët se do të vijojë kontrollet dhe monitorimin e vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe respektimit të kuadrit ligjor në fushën e turizmit detar.

Ftojmë qytetarët të denoncojnë çdo shkelje apo veprim të paligjshëm që cenon sigurinë në zonat kufitare, përmes numrit 112

Policia sekuestron dhe gjobit dy skafet në Ksamil, operonin pa dokumentet


Video