Gazetari që "rrëzoi" SPAK-un: Më kanë përjashtuar nga aktivitetet mediatike të Prokurorisë së Posaçme

23 Prill 2025, 14:26Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Fiori Dardha dhe Elton Qyno

Gjykata Kushtetuese ka pranuar dje kërkesën e gazetarit Elton Qyno, duke e shpallur të padrejtë sekuestrimin e pajisjeve të tij elektronike si dhe kontrollet e kryera në banesë, vendin e punës dhe hapësirat personale, të ndërmarra nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) në kuadër të një hetimi për nxjerrje të sekretit hetimor.

Vendimi vjen pas një beteje të gjatë ligjore të gazetarit, i cili në një intervistë për emisionin "Breaking" në Top News rrëfeu rrugëtimin e tij përballë SPAK, si dhe ndjesitë personale dhe profesionale që e kanë shoqëruar gjatë këtij procesi.

"Unë nuk kam asgjë personale me këtë institucion dhe nuk kam asgjë për të fshehur. Gjithë jeta ime profesionale ka qenë e lidhur me këtë institucion", u shpreh Qyno.

Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se nuk është ftuar në disa takime mediatike pavarësisht kontributit të tij 20-vjeçar në raportimin mbi sistemin e drejtësisë. “Nuk e di pse nuk jam ftuar. Realisht më ka ardhur keq sepse të gjithë kolegët shkojnë në këto takime, ndërsa unë nuk jam ftuar asnjëherë në tre takimet e fundit”, tha ai.

Qyno kritikoi qasjen e institucionit ndaj gazetarëve, duke theksuar se përjashtimi i tyre nga aktivitete të rëndësishme mediatike nuk gjen mbështetje në asnjë rregullore apo ligj.

Në intervistën e tij, gazetari komentoi gjithashtu edhe mbi përdorimin e masave të sigurisë nga SPAK, duke e konsideruar si të tepruar aplikimin e arrestimeve në burg për disa raste.

Në disa raste është tejkaluar çdo lloj probabiliteti për vendosjen e masës së arrestit në burg, edhe kur nuk ka pasur rrezikshmëri të veçantë të personit apo të veprës penale”, tha Qyno, duke theksuar se një pjesë e kërkesave të SPAK janë rrëzuar më pas nga gjykatat.

 


Video