Bastexhinjtë do të taksohen për çdo biletë që fitojnë!

31 March 2023, 12:11Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Bastexhinjtë do të taksohen për çdo biletë që
Në foto: Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj tha në konferencën për mediat këtë të premte se ligji për bastet online sportive do të hidhet shumë shpejt për konsultim publik, ndërsa sqaroi edhe se bëhet fjalë vetëm për legalizim të atyre online dhe jo hapje pikash fizike.

Ibrahimaj nuk dha më shumë detaje nga ligji, por burime të Vox News tregojnë se drafti i përgatitur parashikon që veç kompanive që do të vendosin baste, tatimit do t’u nënshtrohen edhe qytetarët që luajnë. Nëse kompanitë, apo kompania që do të licencohet do të tatohet për totalin e biletave që luajnë, qytetarët do të tatohen vetëm në rastet kur fitojnë.

Në tryezë janë disa propozime mbi nivelin e këtij tatimi. Njëri prej tyre është që niveli të jetë 5 për qind dhe tjetri 15 për qind. Për ta thjeshtuar, nëse një qytetar fiton një bast prej 100 mijë lekësh, ai do të tatohet ose 5 mijë lekë, ose 15 mijë lekë, në varësi të variantit që do të përzgjidhet.

Por, ky parashikim, siç pohojnë ekspertë të Ministrisë së Financave për Vox News mund të kërkojnë ndërhyrje edhe në ligjin për tatimin e fitimit, ku aktualisht parashikohet që tatimi është zero për të ardhurat deri në 14 milionë lekë dhe 15 për qind për të ardhurat mbi këtë nivel.

Legjislacioni në fuqi mbi të ardhurat nga lojërat e fatit është sa 15 për qind e të ardhurave bruto dhe ky variant mund të përzgjidhet edhe në ligjin për bastet online.

Në lidhje me mënyrën se si do të mblidhen këto të ardhura, projektligji parashikon që qytetarët që do të luajnë baste online të identifikohen përmes kartës së identitetit dhe regjistrohen në një sistem monitorues.

Në momentin që ata shpallen fitues, kompania e basteve u jep shumën e fituar, por duke mbajtur 15 për qind të saj, që do të kalojë në buxhetin e shtetit si tatim mbi fitimin. Qeveria parashikon që të arkëtojë të paktën 17 milionë euro në vit nga bastet online.

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video