Asgjë e re nga fronti i primareve

5 Dhjetor 2022, 18:33Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha duke votuar në Primaret e PD

Shënim: Sorosianë, servilë, të korruptuar, të shitur e të blerë! Këto ishin disa nga fjalët e nxjerra nga kandidatët që humbën në primaret e Partisë Demokratike. Akuzat nuk iu drejtoheshin votuesve, simpatizantëve dhe anëtarësisë, por rivalëve të tyre.

Shumë hodhën dyshime për emrat në listë, madje Shemsi Prençi publikoi foto nga lista e Kamzës, ku në votime ishin përfshirë edhe socialistë.

Këto ishin ato çfarë u denoncuan nga kandidatët publikisht përmes rrjeteve sociale, apo mediave dhe ato ishin vetëm maja e Ajsbergut. Fenomeni i votimit më shumë se një herë u përhap gjerësisht në të gjitha degët, votime familjare dhe lista emërore me njerëz që kanë ndërruar jetë, ose që deri vonë njiheshin si kundërshtarë të PD-së.

Kjo ka ndodhur pothuajse kudo. Lista e fryrë prej më shumë se 50 mijë votuesish ishte fiktive. Ka një diferencë prej gati 10 mijë votash më shumë në krahasim me numrin e atyre që u mbajt referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës, apo të zgjedhjes së Sali Berishës.

Diferencën e kanë shpjeguar me votën e simpatizantëve. Shumë u regjistruan, por nëpër qendrat e votimit vështirë se u shfaqën të gjithë. Simpatizantët është edhe pjesa që ka ndarë kundërshtarët. Ata që dolën të humbur në zgjedhje kërkojnë listën e plotë të tyre.

Por, sot në PD askush nuk është në gjendje që të ndajë simpatizantët nga anëtarësia dhe këtij lëmshi me votuesit u shtohet edhe ai i mbivendosjes së listës së anëtarësisë së fryrë të Lulzim Bashës me anëtarësinë e korrigjuar të Sali Berishës.

Veç listave, edhe rezultati në disa njësi është deri diku qesharak. Si shembull, në Shkodër Bardh Spahia ka fituar me 99 për qind të votave të anëtarësisë. Në zonat e tjera dora është përmbajtur dhe fituesit janë shpallur poshtë 90 për qindëshit.

Këta janë elementët që ngrenë dyshime të arsyeshme se primaret, më shumë se zgjedhje për kryetarë bashkish, ishin një spektakël politike që Sali Berisha e përdori për të krijuar idenë se po lejon garën dhe votën e lirë brenda partisë.

Ajo që përforcon këtë dyshim është edhe lista me kandidatët fitues. Sot as demokratët dhe as qytetarët e tjerë nuk janë në gjendje që të tregojnë një zonë ku pati garë dhe fitues u zgjodh një emër surprizë.

Surpriza e vetme mund të konsiderohet deri diku Pogradeci, ku drejtuesi tradicional i Partisë Demokratike në këtë degë fitoi me 2 vota më shumë. Të tjerët as që e vunë në dyshim fitoren, duke sugjeruar si fituesit ishin të paracaktuar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video