Aksident apo atentat? Del dosja hetimore për helikopterin që ra në mes të detit bashkë me Gramoz Pashkon

29 Nëntor 2022, 22:54Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Misteri i vdekjes së Gramoz Pashkos

Emisioni “Inside Story” në Top Channel i ka kushtuar një investigim vdekjes së mistershme të Gramoz Pashkos. Ishte një aksident apo atentat? Dosja hetimore për helikopterin që ra në mes të detit bashkë me Gramoz Pashkon e siguruar nga “Inside Story” synon t’i japë dritë këtij misteri.

Gramoz Pashko dhe përplasja me Berishën

Në qeverinë e stabilitetit të krijuar pas rënies së komunizmit, Gramoz Pashko mbajti postin e zëvendës-kryeministrit dhe të ministrit të ekonomisë. Nën drejtimin e tij, nisin të zbatohen politikat e para të liberalizmit ekonomik.

Pashko u përball me reformat e para që duhet të ndërmerreshin për të kaluar ekonominë nga ajo e centralizuar në ekonomi tregu. Ishte një periudhë kur njohuritë për sistemin e tregut të lirë ishin minimale ndër shtresat e shoqërisë.

Tërheqja e Partisë Demokratike nga qeveria e stabilitetit shkaktoi edhe përplasjet e para mes Pashkos dhe Sali Berishës. Pashko ishte një ndër themeluesit kryesorë dhe më të përgatitur të Partisë Demokratike. Por ambicia e tij për t’u zgjedhur në krye të partisë për të çuar përpara idetë e tij, do ta çonte në një përballje konfliktuale me Sali Berishën. Në 13 gusht të 1992 kur PD kishte fituar zgjedhjet ai bashkë me eksponentë të tjerë u përjashtua nga kjo parti.

Gradualisht Gramoz Pashko u shkëput nga jeta politike për t’iu përkushtuar jetës akademike. Jeta e tij do të merrte një kthesë të papritur dhe profesori Pashko do ti rikthehej edhe njëherë jetës politike. Pas shumë përplasjesh më në fund Pashko pranon ftesën e Berishës për t’u rikthyer te PD-ja në 2005. Por ai nuk mbajti poste drejtuese, madje as nuk arriti që të zgjidhej deputet.

Tragjedia me 6 viktima: Helikopteri që transportonte Pashkon nuk kishte certifikatë të vlefshmërisë ajrore

Inside Story thekson se ka analizuar me detaje dosjen hetimore të kësaj tragjedie.

Në atë kohë Prokuroria e Tiranës nisi menjëherë hetimin për të zbuluar shkaqet e aksidentit ajror që iu mori jetën 6 personave.

“Aksidenti i Pashkos është një ngjare e pazbardhur në gjykimin tim dhe e mbuluar me shpejtësi, për mua”, u shpreh inxhinieri, Arben Meçe

Sipas hetimeve të prokurorisë rezultonte se helikopteri Bell 222 nuk ka pasur certifikatë të vlefshmërisë ajrore për udhëtimin në Itali.

Nuk është lëshuar kjo certifikatë. Sipas fotokopjes së certifikatës së këtij helikopteri i është dhënë një vlefshmëri e kufizuar për tre muaj. Për të shkuar jashtë shtetit, për të qëndruar dhe për tu kthyer nga baza e mirëmbajtjes dhe riparimeve.

Referuar dokumenteve zyrtare, helikopteri është pajisur me këtë certifikatë nga data 29 mars deri në 29 qershor 2006. Kjo vlefshmëri është përdorur për të çuar helikopterin për riparime në bazën e vetme të riparimeve në Gjermani. Ndërsa ditën që helikopteri është ngritur në fluturim drejtë Italisë, ka qenë pa këtë dokument.

Ky helikopter kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1986, që atëherë është përdorur për transportin e personaliteteve. Sipas dëshmisë së ish komandantit të këtij helikopteri përjashtohet çdo mundësi që mjeti të ketë patur probleme pasi sapo ishte kthyer nga shërbimet. Por një rregullore e përmendur prej tij do të ngrejë dyshime sa i përket aksidentit tragjik.

Sipas rregullores së forcave ajrore është përcaktuar se pilotët që marrin pjesë në fluturim ditën nuk lejohet që të panizohen për fluturim natën. Ose duhet që të kryejnë 6 orë pushim dhe të bëhen gati për fluturim.

Sipas kronologjisë së ngjarjes rezulton se atë ditë ekuipazhi helikopterit kishte fluturuar drejt Pogradecit e më pas ishte kthyer në Tiranë. Ky fluturim është bërë për ish-kryeministrin e atëhershëm Sali Berisha. Sipas deponimeve të dëshmitarëve pilotët nuk kanë mundur të pushojnë as dy orë dhe janë thirrur për fluturimin urgjent.

“Më datën 16.7.2006 kam qenë me shërbim pranë zyrës së informacionit në Gardën e Republikës. Ka qenë ora 18:00-18:15 kur më është dhënë detyrë që me mjetin e gatshëm të shkoja në Laprakë, tek fusha e helikopterëve dhe të shoqëronte pilotët në shtëpi. Më pas në orën 19:30 më është njoftuar që të marrë pilotët dhe ti çojë te fusha e helikopterëve”.

Pra rezulton se pilotët nuk kanë mundur që të pushojnë 6 orë siç është parashikuar në rregulloren e Aviacionit Civil. Ndërkohë që shkelja tjetër ka të bëjë me atë që përcakton rregullorja se kush ka fluturuar ditën nuk duhet të fluturojë natën.

Si u aksidentua Pashko në plazhin e Palasës

Është ditë e diel, 16 korrik 2006. Gramoz Pashko së bashku me familjen janë me pushime në Himarë.

Konkretisht ata ndodheshin në vendin e quajtur “Rrugët e Bardha” në fshatin Palasë. Në një plazh të veçuar rreth 2.5 km nga rruga automobilistike Himarë–Vlorë.

Që në orët e para të mëngjesit ata i janë drejtuar detit së bashku me disa miq të tyre. Pasi kanë qëndruar disa orë janë futur në det për t’u larë disa persona, mes të cilëve dhe Gramoz Pashko.

Vendi ku ata po laheshin ka qenë plot me shkëmbinj. Të tjerët kanë dalë nga uji, ndërsa Pashko ka vazhduar të notojë dhe disa minuta më vonë. Në një moment ai ka hipur në një shkëmb, nga ku dhe ka përshëndetur me dorë personat që ishin me të.

Kishin kaluar rreth 30 minuta dhe ai nuk po dukej më. Familjarët të shqetësuar kanë nisur ta kërkojnë. Me vështirësi kanë dalluar midis shkëmbinjsh e dallgësh trupin e tij përmbys, me fytyrë në ujë. Kanë ndërhyrë me vështirësi sepse deti kishte dallgë.

Ata kanë arritur ta nxjerrin nga deti në një terren të vështirë. Lartësia e shkëmbinjve ka qenë rreth 3 metra dhe për ta nxjerrë nga andej duhej litar dhe barelë.

Eva Dibra mjeke e përgjithshme në profesion dhe në të njëjtën kohë mike e ngushtë e familjes ka qenë e para që i ka dhënë ndihmën mjekësore. Për herë të parë ajo rrëfen për Inside Story, tmerrin që kanë përjetuar në ato momente.

“Ishte një moment traumatik, nuk e gjeta unë, por im bir që kishte rënë përmbys, thirri, dhe shkuam im shoq dhe pastaj unë. Ishte gjiri i vogël dhe me shkëmbinjtë aty në Palasën e vogël, e nxorëm ja ashtu ishte një shkëmb pak i pjerrët dhe filluam ti bënim frymëmarrje artificiale dhe masazh zemre. Zemra filloi të punonte por frymëmarrja është ashtu si superficiale mushkëritë të mbushura me ujë, gjendja ishte shumë e rëndë. Zgjati ajo frymëmarrja deri sa erdhi helikopteri. Erdhi dhe i biri se ishte në Himarë. Ishte një tmerr s’di ç’të them një tmerr”, u shpreh mjekja që asistoi, Eva Dibra.

Si u zhduk helikopteri qeveritar me 6 persona në bord

Pas disa përpjekjeve për të ardhur në kontakt me ekuipazhin e helikopterit nis kërkim shpëtimi.

Tashmë ishte e qartë se gjëma kishte ndodhur. Helikopteri Bell 222 me gjashtë persona në bord kishte pësuar aksident, duke u zhytur në ujërat e detit Adriatik.

“Ishim mbledhur në shtëpi dhe më duket vëllai e mori vesh i pari Genci që nuk po përgjigjej helikopteri, por nuk ia thanë Mozës se ishte një tmerr. Se nuk ishte vetëm Gramozi që ishte përgatitur, por ishte edhe i biri. Një tmerr i paparë, tragjedi shumë e madhe i thanë nuk përgjigjet pastaj i thanë që s’ka më helikopter”, u shpreh mjekja e familjes, Eva Dibra.

Hipotezat e ekspertëve vërtiteshin rreth iluzionit optik që mund të kishte piloti ose shkaktar ka qenë ndonjë turbulencë ajri vertikale. Iluzionet optike që kanë pilotët kanë të bëjnë me mos qartësimin e horizontit. Deti dhe qielli janë të ngjashëm aq më shumë kur fluturon natën. Kjo mund të bëjë që piloti të humbasë lartësinë dhe të rrëzohet. Turbulencat ajrore vertikale tërheqin drejtë tokës ose detin mjetin fluturues. Pavarësisht rrethanave, tashmë kemi tragjedi në 5 familje.

Në secilën prej tyre janë hapur dyert e mortit edhe pse s’duan të humbasin shpresat se mund të jenë gjallë. Tragjedia më e rëndë është në familjen e Gramoz Pashkos. Bashkë me të ka humbur jetën edhe djali i vetëm i tij 24-vjeçar. Nuk besoj se dikush gjen fjalët për të ngushëlluar një nënë që humbet në të njëjtën ditë djalin e vetëm dhe bashkëshortin.

Nuk është aspak e lehtë as për familjen e mjekut 40 vjeçar Aleksandër Baloi. Edhe pse ishte në një ditë pushimi ai u thirr më urgjencë për të shoqëruar pacientin në Itali, për shkak të aftësive që kishte si mjek. Vetëm dy ditë para aksidentit ai kishte arritur të përfundonte studimet master me rezultate shumë të mira.

Tragjedia ka pllakosur edhe në familjet e dy pilotëve dhe të inxhinierit teknik të helikopterit. Ata lanë fëmijët jetim dhe familjarët të zhytur në zi.

U zhduk mes shkëmbinjve për minuta të tëra

Gramoz Pashko kishte mbijetuar në ujë për minuta të tëra. Ishte një mrekulli që ai u gjet i gjallë, edhe pse kishte pak shpresa që t’ia dilte.

Ndihma e parë që iu dha nga njerëzit e tij e mbajti në jetë. Miqtë njoftuan të birin Rubenin që ndodhej në Himarë dhe u përgatit transporti drejt Tiranës.

“Gjetëm një doktor, atë të Dhërmiut, e morëm dhe kur arritëm në vend, Gramozi nuk ishte mirë, kishte ndenjur shumë në ujë. Momenti i fundit sa ka ardhur helikopteri ishte Gramozi i shtrirë, Rubeni që i mbante kokën dhe unë që mbaja çadrën se ishte diell dhe Rubenin që të mos batohej”, u shpreh miku i Rubenti, Redi Mazi.

“Për mua ka qenë fiks si një film horror, kam akoma dhe sot një breng që nuk isha pranë Rubenit në atë moment, nuk isha se kishim shoqëri të ndryshme”, u shpreh Bers Hado, i afërm i Ruben Pashkos.

Sipas kronologjisë së dosjes hetimore rezulton se rreth orës 13:40 është njoftuar rajoni i Policisë së Himarës se shtetasi Gramoz Pashko ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore dhe familjarët e tij kërkonin ndihmë urgjente mjekësore. Pas njoftimit të bërë aty kanë shkuar mjeku Jani Gjoka dhe shefi i rajonit të Himarës. Ndërkohë që familjarët janë munduar t’i bëjnë frymëmarrje artificiale e masazhe të zemrës, ai ndodhej në gjendje kome të thellë dhe kishte frymëmarrje të çrregullt.

Trupi i Pashkos ishte midis shkëmbinjsh, në buzë të detit pa ndjenja, i rrethuar nga familjarët, miq dhe shokë që ndodheshin me të. Kur u afrova, ai nxirrte shkumë nga goja dhe nga hunda, si dhe kishte rrahje të shpejta të zemrës. Në pjesën midis dy syve kishte një plagë, një të çarë, e cila me sa duket i kishte shkaktuar traumë cerebrale. Së bashku me mjekun e Dhërmiut, i cili kishte mbërritur para nesh, i dhamë ndihmën e nevojshme. Me personat që ndodheshin aty e vendosëm në barelë dhe me litar, me vështirësi të madhe e kemi nxjerrë nga shkëmbinjtë. Na u desh rreth 20 minuta përpjekje, pasi terreni ishte shumë i vështirë dhe gjithë shkëmbinj.

Pa humbur kohë mbërrin helikopteri i Ministrisë së Shëndetësisë në vendngjarje. Nën shoqërimin e mjekut të ambulancës Dhërmi, Kozma Çipa dhe të bashkëshortes, helikopteri me pacientin Gramoz Pashko, niset për në QSUT. Rreth orës 16:25 pacienti është çuar në reanimacionin e Kardiokirurgjisë së spitalit. Sipas kartelës së pacientit që Inside Story zotëron, nga mjekët aty është përjashtuar fillimisht mundësia e ndonjë infarkti. Më pas është realizuar skaneri i kokës, prej të cilit u përjashtua çdo dëmtim.

Nga mjekët u konkludua se mushkëritë e pacientit ishin të mbushura me ujë. Pasi parametrat e tjerë u stabilizuan mjekët në bashkëpunim me familjarët vendosën që të dërgohej për kurim jashtë vendit.

Konkretisht do të trajtohej në spitalin e Barit në Itali. Transporti i tij duhet të bëhej sa më shpejtë. Aty të pranishëm kanë qenë kryeministri i atëhershëm Sali Berisha dhe ai sugjeroi që transporti të bëhej me helikopterin qeveritar Bell 222.

Pilotët e helikopterit që transportonte Pashkon të pa trajnuar për fluturime natën

Inside Story ka zbardhur dëshmi të tjera nga dosja voluminoze që hedhin dritë mbi faktin se si pilotët shmangnin fluturimet natën.

Ata kërkonin gjithmonë që udhëtimet të kryheshin ditën duke qenë se Shqipëria nuk kishte infrastrukturën e duhur ajrore.

“Sipas një bisede që kam pasur me komandantin e helikopterit Bell 222 ai më ka thënë se për fluturimet natën të cilat ai i quante Instrumental Flight Rules, ai dhe piloti tjetër nuk kishin kryer kursin e nevojshëm të trajnimit. I cili duhej të kryhej nga instruktorë të licencuar”.

Një tjetër dëshmi që shton akoma më shumë dyshimet vjen edhe nga kontrollori i aftësive të pilotit.

“Gjatë kohës që kam qenë unë në atë detyrë kam kontrolluar aftësitë e pilotit Vangjel Çondi. Ky pilot ka qenë i licencuar vetëm për fluturimet VFR”.

Me kërkesë të pilotit Çondi, fluturimet natën janë shmangur ashtu si raste urgjente apo të programuara.

Pra edhe sipas kësaj dëshmi rezulton se pilotët nuk kanë qenë të licencuar për fluturime natën.

Duke mos harruar të theksojmë se pilotët që kishin fluturuar ditën janë nxjerrë përsëri në fluturim pa pushuar 6 orës, sipas rregullores.

 

Video