Kur do bëj emision Fevziu për mega-aferën prej 1.3 mld euro të rrugës Lekaj-Fier?!

29 Nëntor 2022, 18:09Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Projekti i koncesionit Lekaj-Fier dhe Blendi Fevziu

Pak ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës njoftoi fituesin e koncesionit të rrugës Lekaj-Fier. Ai ishte një bashkim prej 8 kompanish, që me një investim minimal do të vendosin traun në rrugën ekzistuese dhe vjelin tarifën nga çdo përdorues i saj.

Me t’u shpallur ky fitues, pak media ngritën dyshime se pas këtij koncesioni qëndronte një aferë e dyshimtë. Ndër të parat ishte edhe Voxnews.al. Pse i ngritëm këto dyshime? Së pari, sipas projektit të dorëzuar vetëm 3.2 kilometra rrugë do të jetë në gjurmë të re, pjesa tjetër do të kalojë në rrugën ekzistuese.

Pra, për rreth 42 kilometra rrugë bazamenti është gati, po ashtu edhe hapësira ku do të zgjerohet me një korsi është gati me shpronësime minimale me kosto toke arë të papërfillshme nëse iu referohemi çmimeve të referencës së përcaktuar nga një VKM e vitit 2016.

Së dyti, kompanitë deklarojnë një investim 384 milionë eurosh. Shifra ngre dyshime se është fryrë artificialisht për të justifikuar vjeljen e tarifave nga qytetarët për 35 vite me radhë.

Së treti, koncesioni u dha pa garë. Aty ka një bashkim prej tetë kompanish. Nëse sheh historikun e tenderave, PPP-ve dhe koncesioneve në Shqipëri ky është rasti i vetëm kur 8 kompani bashkohen dhe japin një ofertë të vetme.

Pavarësisht gjithë këtyre fakteve që të çojnë në dyshimet e arsyeshme se bëhet fjalë për një aferë të mirëfilltë korruptive, koncesioni zuri pak hapësirë në ekranet e mëdha. Nuk gjeti hapësirë as në ekranin e Blendi Fevziut, ku është folur deri për operacionet plastike.

Pse hesht Blendi Fevziu për këtë koncesion? A ja kanë mbyllur gojën interesat e ngushta dhe fijet e kësaj afere të dyshuar që të çojnë deri te pronarët e televizionit Klan?

Këtyre pyetjeve vetëm Blendi Fevziu mund t’u japë përgjigje, sigurisht duke organizuar një emision të posaçëm për koncesionin e rrugës Lekaj-Fier, ndoshta mëson se pas këtij koncesioni ka edhe emra që i njeh më mirë se kushdo.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video