Projekti për Portin e Durrësit, BE del kundër, anulon grantin 28 milionë euro

24 Nëntor 2022, 09:20Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pas rezervave publike për projektin e transformimit të Portit të Durrësit, Bashkimi Europian ka avancuar duke ndërmarrë një akt konkret kundër; anulimin e një granti 28 milionë euro që ishte destinuar për investim në këtë port.

Ky grant ishte parashikuar që të mbështeste realizimin e projektit për rikonstruksionin e kalatave 1 dhe 2 të terminalit lindor të portit, që shërbejnë për ngarkim dhe shkarkimin e anijeve që transportojnë naftë dhe gaz.

Në një reagim dhënë në media, zyra e BE-së e ka arsyetuar aktin me faktin se porti aktual e ka ndryshuar qëllimin e përdorimit e  si rrjedhojë projekti është modifikuar.

Kjo nuk është hera e parë që Bashkimi Europian shpreh rezerva për projektin e qeverisë shqiptare për të transferuar portin e Durrësit në Porto Romano. Ndërkohë, pritet që qeveria të marrë vendim për hapjen e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar. Ndërtimi i portit tregtar në zonën e Porto Romanos i hap rrugën projektit të transformimit të hapësirës që krijohet nga transferimi i portit ekzistues,  një projekti 2 miliardë dollarë ku zhvilluesi me të cilin qeveria ka nënshkruar marrëveshje është  Muhammed El Alabbar.

Video