Debat në PD/ Berisha kritikon Palokën, Bylykbashin dhe Nokën: Turp që nuk folët në protestë!

20 Nëntor 2022, 22:11Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha, Edi Paloka, Flamur Noka dhe Tritan Shehu

Në një nga mbledhjet e thirrura me drejtuesit kryesorë të Partisë Demokratike pas protestës së 12 dhjetorit, Sali Berisha është shfaqur i kënaqur me pjesëmarrjen, por i pakënaqur me tre emra.

Kreu i demokratëve ka kritikuar tre figura qendrore, që u rreshtuan në krah të tij që prej nisjes së foltores në shtator të vitit të kaluar pas përjashtimit nga grupi parlamentar i PD-së me një vendim të Lulzim Bashës.

Burime të Voxnews.al tregojnë se Oerd Bylykbashi, Edi Paloka dhe Flamur Noka janë kritikuar nga Sali Berisha se përse nuk u ngjitën në podium. Burimet thonë se gjatë fjalës së tij, ai në një moment ‘u ka thënë që kishin nxjerrë fëmijë të flisnin para protestuesve dhe ata si figura qendrore të partisë nuk dolën’.

“Bëhuni burra dhe dilni të flisni. I vetmi zë i fuqishëm që foli ishte Luçiano Boçi’’, mësohet t’u jetë drejtuar Berisha tre bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë.

Në protestën e 12 dhjetorit lista e folësve qe e gjatë, ku Ilir Meta dhe Sali Berisha folën në fund. Ajo që ra në sy ishte fjala e 3-4 figurave të reja, që vinin nga auditorët e universiteteve si dhe e aktivistëve që publikisht nuk kanë pasur një lidhje të fortë me Partinë Demokratike.

Me përjashtim të Luçiano Boçit, i cili ka njoftuar edhe kandidimin për kryetar bashkie në Elbasan, asnjë figurë qendrore e Partisë Demokratike nuk iu adresua pjesëmarrësve në protestë. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video