
Qeveria këmbëngul se projekti i portit turistik të Durrësit është vepra më madhore, që do t’i japë Shqipërisë një tjetër zhvillim dhe kthejë atë në një pikë referimi për turizmin në Mesdhe.
Por, ka disa pikëpyetje të mëdha, përgjigjet e të cilave ose kanë qenë gjysmake nga ana e përfaqësuesve të Qeverisë, ose pa përgjigje, ose jo bindëse.
Pyetja e parë, pse gjithë ky nxitim për një projekt kaq madhor, që fal 818 mijë metër/katrorë prona publike në një zonë kaq të lakmuar në bregdet? Edi Rama dhe Belinda Balluku i janë përgjigjur se ‘nuk ka kohë për të humbur’.
Përgjigja nuk bind, së pari për faktin se diskutimet kanë nisur prej më shumë se një viti. Që do të thotë se pritja ka qenë relativisht e gjatë. Pse të mos pritet edhe 2 muaj që ligji të kalojë me procedurë normale, në konsultime me publikun dhe diskutuar në Kuvend?
Pyetja tjetër lidhet me projektin. Sipas planit të biznesit, kompania do të ndërtojë në fazën e parë pallate dhe rezidenca. Pra, porti nuk do të preket. A rrezikon që kompania të ndërtojë në një truall të falur pallate dhe më pas të largohet duke lënë përgjysmë projektin? Kësaj pyetjeje nuk i është dhënë përgjigje.
Pyetja e tretë lidhet me kapacitetet e portit turistik. Sipas projektit, në të do të ankorohen 240 jahte. Kjo s’e bën as më të madhin në Mesdhe, aq më tepër në rajon. Kapacitetet e Malit të Zi e tejkalojnë disa herë. Atëherë, si do të joshë turizmin elitar ky port? Edhe kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje.
Në planin e biznesit, kompania thotë se do të investojë 160 milionë euro në fazën e parë. Të ardhurat e tjera që shkojnë mbi 700 mln euro do të sigurohen nga shitja e apartamenteve. Si e regjistruar në 60 për qind të saj në parajsa fiskale, a rrezikon që të përdoret për pastrimin e parave? Edhe kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje.
Pyetja e katërt ka të bëjë me shqetësimin se projektet e qeverisë rrezikojnë të nxjerrin nga harta e transportit detar Shqipërinë. Njëkohësisht janë njoftuar zbatimi i dy projekteve, ai për zhvendosjen e Portit të Vlorës dhe ndërtimit në të të një porti turistik dhe godina rezidenciale dhe porti i Durrësit.
Zhvendosja bëhet pa përfunduar më parë portet e reja të mallrave, përkatësisht në Triport në rastin e Vlorës dhe në Porto Romano në rastin e Durrësit. A ka një studim të Ministrisë së Infrastrukturës mbi efektet e këtyre projekteve në regjimin e transportit detar të mallrave dhe njerëzve, aq më tepër për Durrësin, që është portë kryesore hyrëse për Shqipërinë, Kosovën, por edhe Maqedoninë e Veriut? Edhe kjo pyetje nuk ka marrë përgjigje shteruese.
Pyetja e radhës ka të bëjë me kompaninë ndërtuese. Pse 60 për qind e pronarëve të saj janë të regjistruar në parajsa fiskale dhe me një zinxhir transaksionesh aksionesh e ndryshimi kompanish ende pa nisur puna? As kjo nuk ka përgjigje.
Parajsat fiskale njihen për lehtësinë e ndryshimit të aksionerëve dhe të fshehjes së pronarëve fundorë të kompanive. A ekziston mundësia që pas Portit të Durrësit të qëndrojnë politikanë, apo biznesmenë shqiptarë? Kjo është pyetja e gjashtë. Qeveria i përgjigjet kësaj pyetjeje duke deklaruar se pas investimit është Alabar me Emaar Group, ndërsa nga opozita thonë se është direkt Edi Rama.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.