Pjesëmarrja në protestën e opozitës ditën e shtunë ndoshta mund të mos jetë në shifrat që publikojnë partitë, apo udhëheqësit e tyre, përkatësisht Sali Berisha dhe Ilir Metaj.
Megjithatë, për nga masiviteti i saj qeveria dhe Edi Rama s’mund ta anashkalojnë se ka një pakënaqësi të rritur mes qytetarëve dhe me të drejtë. Keqqeverisja është në përmasa aq alarmante sa as justifikimet e kalimit të krizës së tërmetit, pandemisë dhe tani lufta në Ukrainë s’e fshehin dot më.
Kjo është arsyeja se veç militantëve besnikë, në bulevard dolën edhe qytetarë pa parti. Për ta kuptuar se shumica e tyre ishin pa parti, mjafton fakti që thirrjet e organizatorëve për të recituar sloganin ‘Edi Rama o hajdut, boll vodhe ik në burg’ entuziazmonin vetëm vijën e parë të protestuesve partiakë.
Ata që qëndron më larg podiumit heshtën, por bënë një kompromis dhe kur iu kërkua të ndiznin dritat e telefonave e bënë, për t’i treguar Qeverisë se ata ishin aty në protestë, jo për Sali Berishën dhe Ilir Metën, por për keqqeverisjen e vendit.
Ata që dolën në shesh nuk është se nuk i dijnë vështirësitë që po has çdo qeveri në botë me krizën e çmimeve që ka mbërthyer sidomos Europën. Kanë dëgjuar dhe një pjesë e mirë edhe kanë paguar fatura të çmimeve të rritura jashtë vendit, edhe në vendet e Bashkimit Europian.
Pakënaqësia nuk lidhet me këtë pjesë. Pakënaqësia lidhet me mënyrën e menaxhimit të krizave. Në mes të krizës së çmimeve dhe kur nga njëra anë flet për kursim, Edi Rama planifikon tender 4 mln euro për një instalacion te Kryeministria.
Në mes të krizës së çmimeve, i dalin në publik dhjetra udhëtimet me charter, për të cilat Kryeministri thotë se kanë kushtuar 1 milionë lek, një shifër qesharake që as militanti më besnik i tij s’e beson dot.
Në mes të krizës, Rama shtyn përpara një projekt që i fal një kompanie private mbi 800 mijë metër katrorë truall shtetëror në një nga zonat më të lakmuara në vend. Kostoja e investimit thuhet se është 2.1 mld euro, në një zonë ku vetëm trualli llogaritet rreth 400 mln euro.
Në mes të krizës, Komiteti i Investimeve Strategjike fal 90 mijë metër katrorë truall shtetëror pak kilometra më tutje në zonën e lakmuar të Gjirit të Lalzit.
Në mes të krizës dhe spoteve me kursim energjie, projektet me koncesione e PPP me shifra të fryra vijojnë pa asnjë pengesë, siç është ai i tre të tillave për rrugën Milot-Fier.
Qytetarët dolën të protestojnë sepse barra e përballimit të krizës u është lënë mbi supe nga qeveria dhe si tregues për këtë është edhe buxheti i miratuar për vitin e ardhshëm, ku për çdo 10 lek që do të mbledhë në formën e taksave, Qeveria do të shpërndajë në formë mbështetjeje për qytetarët vetëm gjysmën e tyre.
Kjo është arsyeja e pakënaqësisë. Ata që dolën në shesh jo domosdoshmërisht dolën për Berishën dhe Ilir Metën. Ata dolën për hallet e tyre, duke treguar edhe njëherë tjetër se në Shqipëri mbështetja popullore dhe zgjedhjet nuk fitohen nga opozita, por humben nga pushtetit.
Keqqeverisja dhe dhuna e larguan Sali Berishën në 1997-n, korrupsioni galopant në çdo qelizë të shtetit që mbolli Fatos Nano e larguan atë në 2005-n, aferat korruptive në nivele të larta të pushtetit larguan Sali Berishën në 2013-n.
Megjithëse në tre rrokadat e fundit Rama ka qenë në majat e politikës dhe protagonist i këtyre ndryshimeve, mësim nuk duket se ka nxjerrë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.