Nafta u ul në bursa që në fillim të muajit, Bordi i Çetit e ul pas 10 ditësh

11 November 2022, 19:02Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nafta u ul në bursa që në fillim të muajit, Bordi i
Foto nga nje mbledhje e bordit

Nëse kanë mbetur ende shqiptarë që besojnë se bordi i çmimit të naftës është ngritur për t’i mbrojtur ata dhe jo oligarkët, vetë bordi u dha këtë të premte provën më të mirë për të kundërtën.

Bordi shpërndau një ditë para protestës së thirrur nga opozita njoftimin e uljes së çmimit të naftës me 5 lek dhe të benzinës me 2 lek.

Vendimi në media kaloi si gjithmonë si një njoftim normal, me shumicën e titujve nëpër portale ‘Bordi vendos çmimin e ri të karburanteve, ja sa do të shitet nafta’.

Lajmet shoqërohen edhe me njoftimin e plotë të shpërndarë nga bordi i karburanteve, por që faktikisht është bordi i oligarkëve.

Mes rreshtave të njoftimit është edhe një paragraf, të cilin Voxneës.al po e sjell të paredaktuar ashtu siç është në njoftim:

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 10.11.2022, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 957, - 4 nga data 1.11.2022, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 1023, - 40 nga data 1.11.2022, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar një ulje të lehtë në 118.03 ( -1.24 nga data 1.11.2022).

Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se prej 10 ditësh çmimi i karburanteve është ulur në bursën Platz të cilës bordi thotë se i referohet. Por, në Shqipëri reflektimi i luhatjes së çmimeve në tregjet e huaja vjen me vonesë…kur bëhet fjalë për ulje dhe me shpejtësinë e dritës kur bëhet fjalë për rritje.

Për ta ndërlikuar edhe më shumë gjoja transparencën, Bordi përfshin në formulën e përllogaritjes edhe disa elementë të tjerë si kursin e këmbimit, efektet e të cilit në këtë hark kohor kanë qenë të papërfillshme.

Qëllimi duket i qartë, në pështjellimin e publikut, që ai të besojë se vendimmarrjet e bordit janë transparente, ndërsa e vërteta është tjetër. Në këtë rast, gjithkush dyshon me të drejtë se vështirë se bordi do të ndjehej për çmimin e karburanteve po të mos ishte protesta e opozitës të shtunën. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video