Ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca mbrojti buxhetin për vitin e ardhshëm duke deklaruar se 55 për qind e tij do të shkojë si mbështetje për fermerin.
Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për vitin e ardhshëm është vendosur 120 milionë euro. Kjo do të thotë se 66 milionë euro, sipas pretendimit të ministres do të shkojnë për femrerët.
Një prej skemave më efikase të mbështetjes së fermerëve, sidomos në këtë kohë krize çmimesh, është nafta e zhveshur nga taksat. Nga skema kanë përfituar mbi 25 mijë fermerë, megjithëse të dhënat e siguruara nga Voxnews.al tregojnë se një në tre aplikues kanë përfituar.
Pavarësisht kësaj, baza prej 25 mijë fermerësh është e lartë dhe e bën skemën më të suksesshmen në këtë sektor. Por, çfarë ndodh? Për vitin e ardhshëm, Ministria e Bujqësisë ka vendosur një fond prej 1.3 miliard lekësh, ose 11 milionë euro si mbështetje me naftë për fermerët, nga 1.9 miliardë, ose rreth 15 mln euro që planifikohej.
Kjo do të thotë se nga 66 mln eurot që ministraj Frida Krifca thotë se do të shkojnë si mbështetje për fermerët, vetëm 11 milionë do të shkojnë realisht direkt për ta. Pjesa tjetër, prej 55 milionësh me gjasa do të shpërndahet përmes skemave komplekse e të mbytura nga burokracitë, për të cilat fermerët nuk kanë as kohën dhe as burimet njerëzore që të aplikojnë.
E gjitha kjo e bën propagandë pretendimin e ministres Krifca, propagandë që ja zhveshi edhe vetë Erion Braçe gjatë një dëgjese në Komisionin e Ekonomisë. Deputeti socialist denoncoi faktin se shumë prej fermerëve nuk po përfitonin mbështetje financiare nga shteti, jo se nuk e meritonin, apo se nuk kishin aplikuar me dokumentacionet e plota, por thjesht për faktin se Ministria e Bujqësisë nuk kishte fondet e nevojshme.
Propaganda zhvishet edhe nga fakti që ministrja Frida Krifca për asnjë ditë në krye të këtij institucioni nuk ka kërkuar ndryshimin e skemës së subvcencionimit të TVSh-së, duke pretenduar ashtu si Arben Ahmetaj më herët në kabinet se ‘pavarësisht se numri i lopëve po bie, sasia e qumështit të prodhuar po rritet’.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.