Projekti i Portit turistik të Durrësit ka disa ditë që është në qendër të vëmendjes mediatike. Gazetarët kanë denoncuar faljen e 820 mijë metër katror truall shtetëror për rezidenca, kulla e hotele.
Pothuajse të gjitha mediat janë marrë me këtë fakt dhe kanë ngritur shqetësimin dhe dyshimet se pas këtij projekti qëndron afera më e madhe korruptive në historinë e Shqipërisë.
Janë bërë me dhjetra shkrime, kronika reportazhe e emisione, ku janë denoncuar me dokumente se si favorizohet investitori, duke marrë me një euro një truall, që vlen të paktën 400 milionë euro.
Por ka një studio ku kjo temë nuk është trajtuar dhe jo nga padija. Opinioni i Blendi Fevziut e ka shmangur si temë. Ka heshtur përballë dyshimeve dhe dokumenteve të denoncuara publikisht. Ka heshtur edhe përballë shqetësimeve të ngritura nga opozita, që e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen.
Pse? Për të kuptuar arsyen duhet të kthehemi 20 muaj pas në kohë. Ishte data 11 shkurt 2021, dy muaj nga zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të atij viti. Blendi Fevziu transmetonte si çdo mbrëmje emisionin e vet Opinion.
Tema e radhës? Rrëfimi i Muhamed Alabbar, njeriu që qëndron sot pas projektit të Portit të Durrësit. Me zell të madh e pathos, Fevzo e nis emisionin me elozhe për Alabbarin dhe e mbyll me më shumë elozhe.
Në mes të tyre thotë edhe që është një ‘njeri i jashtëzakonshëm’, pasi rrëfen për vështirësitë që miliarderi arab ka kaluar në jetë, që nga fëmijëria e varfër dhe hyrja në biznes.
Për ata që mbase s’e kanë kuptuar në atë kohë, ose e kanë harruar sot intervista bëhej dy muaj pasi Alabbar të shfaqej me Edi Ramën në fushatën elektorale duke prezantuar projektin për portin e jahteve të Durrësit.
E thënë më thjesht dhe troç, e gjithë intervista mund të interpretohet se ishte një qokë dhe përgatitje terreni që Alabbarit t’i jepej pa zhurmë e pa kundërshti mijëra metra katrorë truall shtetëror për vetëm 1 euro.
Pra, Opinioni i Blendi Fevziut me reportazhin kushtuar Alabbarit kishte për qëllim prezantimin e tij te qytetarët shqiptarë si një njeri i suksesshem, si biznesmeni e ndërtuesi që kishte ndërtuar Burj al Khalifa, marinën e Dubait e të tjera mrekulli, sipas Fevzos.
Ato që nuk u përmenden në qokën e Fevziut ishte fakti që kompanitë e Alabbarit kanë përfituar mijëra metra katrorë truall në Minsk nga Lukashenko duke shkelur sanksionet e BE-së, që kanë zvarritur prej vitesh projektin ‘Belgrade Ëaterfront’ në Serbi, apo që dështuan të merrnin mijëra metra truall shtetëror në Zagreb për të ngritur kulla.
Skema e përdorur është e njëjta në të gjitha rastet. Merr prona publike falas, ndërto, shit dhe ndërto. E njëjta skemë është edhe në Portin e Durrësit, madje edhe më skandaloze pasi pa u kaluar në Kuvend si marrëveshje, kompania doli me një njoftim për nisjen e shitjeve të apartamenteve.
Nëse në shkurtin e 2021-t Fevziu nuk mund të parashikonte se si do të përfitonte Alabbari pronën publike, apo ndoshta nuk është vënë në dijeni të investimeve kontraverse të tij në Minks, Beograd dhe në Zagreb tani këto i ka publike.
Atëherë pyetja që shtrohet është se çfarë e pengon që të realizojë një ‘Opinion’ ku të diskutohet kjo çështje? Ndoshta ka interesa të fshehura vetë në këtë port, ose dikush pranë tij mund të jetë përgjigjia e vetme.
Ka një tregues që vetiu të çon në këtë përgjigje. Porti i Durrësit është një tortë e madhe që kënaq edhe oligarkët shqiptarë. Në Opinionin e Fevziut temat që cenojnë interesat e Bashkim Ulajt dhe koncesionin Thumanë-Kashar, ato të Shkëlqim Fushës dhe koncesionit Lekaj-Fier, ato të Samir Mane me ndërtimet pas QTU-së, apo Portin e Vlorës, favorizimet në Shëndetësi të Klodjan Allajbeut janë tabu, edhe pse bëhet fjalë për miliarda euro në mes.
Kur Fevziu të çlirohet nga oligarkët dhe të flasë për ta, atëherë do të bëhet i besueshëm. Deri atëherë…ka kohë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.