Autori i mirënjohur i "Misioni im" viziton Panairin e Librit

17 November 2022, 21:11Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Autori i mirënjohur i "Misioni im" viziton
Lulzim Basha në Panairin e Librit në Tiranë

Panairi i Librit pati nderin këtë të enjte që të vizitohej nga autori i ‘misionit të lënë përgjysmë’.

Lulzim Basha u fotografua në stendat e shtëpive botuese me një qese të madhe me mbishkrimin ‘Bota Shqiptare’.

Duke qenë se qesja nuk ishte transparente, është e paqartë nëse brenda saj kishte libra, që ish-kreu i PD-së ka blerë në këtë panair, apo ishte e mbushur me premtimet e pambajtura prej tij.

Njëri prej premtimeve ishte edhe ‘Misioni Im’, libri që Lulzim Basha tha se shkroi dhe botoi para zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar. Kështu tha ai, por duke qenë se Ilir Metaj, ish-aleati i tij e ka akuzuar se të gënjen edhe për orën, ky pretendim për autorësinë e librit duhet të merret me rezerva.

‘Misioni Im’, apo më saktë misioni i Bashës mbërriti para zgjedhjeve të 25 prillit duke mbushur titujt e mediave me fjalët ‘surprizuese, Basha vjen me libër’. Libri u botua nga disa shtëpi botuese, madje disa portale vlerësuan se lajm përbënte edhe fakti që ishte pjesë e Amazon, a thua sikur Amazon ka kritere cilësie e mbajtje premtimesh për të futur në platformë diçka të shitshme.

Por, le t’i rikthehemi vizitës së ish-kreut të PD-së në Panairin e Librit. Ndalesa e Bashës në eventin vjetor më të madh të leximit mbërrin në një periudhë betejash brenda partisë që dikur drejtonte, që sot pretendon se e drejton njeriu i tij, Enkelejd Alibeaj, por që në të vërtetë e drejton Sali Berisha.

Situata është aq e turbullt, sa dy palët brenda PD-së akuzuan njëra-tjetrën në seancën plenare të së enjtes për pazare me Edi Ramën. Që të dyja duket se e kishin humbur misionin e tyre, atë të opozitarizmit. Mbase Basha po mendon rikthimin…me një libër të ri.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video