Irfan Hysenbelliu akuzon Belinda Ballukun për tritolin e vendosur ndaj “Prestige Resort” (VIDEO)

4 Dhjetor 2022, 16:40Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Irfan Hysenbelliu dhe Belinda Balluku

Irfan Hysenbelliu, pronari i Prestige Resort që u hodh në erë me tritol pasditen e kësaj të diele në Durrës, nuk akuzon vetëm kryeministrin Edi Rama për shembjen.

Biznesmeni ka ‘shfajësuar’ kryetaren e IKMT-së, Dallandyshe Bici, por ka drejtuar gishtin e bashkautorësisë te Belinda Balluku, zëvendësja e Ramës në kabinetin qeveritar. Arsyeja, sipas tij, ka qenë denoncimi që i kanë bërë mediat e tij aferave korruptive në infrastrukturë dhe energji, dy sektorët e drejtuar nga Balluku. 

“Më vjen keq për Dallandyshe Bicin që më njeh shumë mirë dhe kemi folur shpesh në telefon. Duke e parë që grupi mediatik denoncon çdo ditë korrupsionin, PPP-të, infrastrukturën, energjinë ky veprim është i akorduar mes zonjës Balluku dhe Ramës. Kemi informacione që janë afër njëri-tjetrit për të organizuar këtë aksion”, deklaroi Hysenbelliu në një reagim telefonik për televizionin e tij.


Në të njëjtën deklaratë, ai thotë se Belinda Balluku ka qenë shumë e zellshme për të realizuar shembjen, ndërsa Rama vetëm sa ka firmosur në fund.

“Për Ballukun dua të them një gjë, që ishte aq e zjarrtë me të gjitha institucionet që ka ajo. Rama e hedh firmën i fundit. Ai ka kapur çdo lloj drejtësie, gjyqtarët janë të terrorizuar”, deklaron Hysenbelliu.

70 kilogram tritol u përdorën për të hedhur në erë Prestige Resort në bregdetin e Kavajës. Qeveria thotë se nuk kishte leje, ndërsa Hysenbelliu deklaron se lejen e ka firmosur Rama që në 2016-n.

Video