
Binance, një nga firmat më të mëdha në botë të kriptomonedhave, do të blejë aksione në vlerë prej 200 milionë dollarësh të revistës së njohur ekonomike 105-vjeçare, Forbes.
Forbes, e njohur gjithashtu edhe për renditjen e miliarderëve në botë, tha se marrëveshja do ta ndihmonte ta bënte atë të ishte në pararojë të ofrimit të informacioneve rreth aseteve dixhitale, si Bitcoin.
Por, lajmi për investimin ngjalli paqartësi mes vëzhguesve të medias rreth konflikteve të mundshme të interesit. Binance paditi Forbes në vitin 2020 për shpifje dhe më vonë u tërhoq nga kjo çështje.
Analistët vunë në dukje gjithashtu se asetet e kriptove janë luhatur nga artikuj të publikuara në mediat ndërkombëtare, mes të cilave edhe Forbes. Në një deklaratë që njoftonte transaksionin, themeluesi i Binance, Changpeng Zhao tha se ai e shihte median si "një element thelbësor për të ndërtuar kuptimin dhe edukimin e gjerë të konsumatorëve" për tregun e kriptove dhe teknologjitë e reja të blockchain.
Miliarderi kanadezo-kinez, pasuria neto e të cilit vlerësohet të jetë gati 100 miliardë dollarë, më vonë shkroi në Tëitter për të sqaruar komentet e tij, duke thënë se fokusi i tij ishte të ndihmonte Forbes të ringrihej dhe e cilësoi pavarësinë editoriale të saj si "të shenjtë".
Ai i tha transmetuesit CNBC se kompania e tij po shikonte mundësinë për investime në kompani të tjera tradicionale, pasi synon të avancojë adoptimin e blockchain, një sistem për regjistrimin e transaksioneve të kriptomonedhave që përdor një regjistër të përbashkët, por të decentralizuar.
Forbes tha se Binance, që është nën hetim nga ana e rregullatorëve në SHBA, Britani dhe disa vende të tjera do të ofrojë këshilla teknologjike, duke ndihmuar në artikujt e studimet që lidhen me bizneset dhe të avancojë planet për të rikthyer e rritur abonentët me pagesë.
“Forbes ka qenë jashtëzakonisht e pavarur për më shumë se një shekull, pavarësisht nga pronësia jonë, dhe kjo nuk do të ndryshojë tani”, tha zëdhënësi i revistës, Bill Hankes për BBC. "Integriteti i gazetarisë sonë të besuar është pasuria jonë më e rëndësishme", u shpreh ai.
Marrëveshja vjen në një moment kyç për industrinë e kriptove. Monedhat si Bitcoin kanë parë vlera të larta, ndërsa kompanitë kanë shpenzuar për sponsorizime të stadiumeve sportive, reklama dhe lobime qeveritare për të zgjeruar gamën e përdorimit të tyre dhe për të formësuar rregullore e ligje.