
Çmimi i energjisë elektrike për rreth 7500 biznese të lidhura me tensionin e mesëm në Shqipëri u rrit me rreth 80 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Këto biznese, të cilat sipas vendimit të qeverisë pa shpalljes së emergjencës energjitike dolën në treg të lirë, do të paguajnë kilovatin për muajin janar afërsisht 19 lek, nga mesatarisht 11.6 lek që e paguanin deri në dhjetor të 2021-it.
Shifra prej 18.8 lek kilovati del në propozimin që i ka dërguar Entit Rregullaator të Energjisë Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Shoqatat e biznesit kundërshtuan vendimin duke u shprehur se në rastin më të mirë kjo do të çonte në një efekt zinxhir të rritjes së çmimeve dhe në rastin më të keq falimentim të një pjese të mirë të këtyre bizneseve.
Liberalizimi për këtë kategori biznesesh do të thotë se ato vijojnë të trajtohen në mënyrë preferenciale nga furnizuesi publik, por në çdo moment që gjejnë një çmim më favorizues në privat, ata mund ta prishin kontratën e nënshkruar me kompaninë publike.
Qeveria ka dakordësuar që të mbajë në këtë regjim 7440 biznese deri në qershor të këtij viti me shpresën se çmimet e energjisë do të ulen duke i hapur kështu rrugë daljes së tyre në treg të lirë por nëse çmimet do të vijojnë të mbeten të larta është lakuar vazhdimi i këtij regjimi.
Megjithatë, kategoria e bizneseve që kanë dalë prej kohësh në tregun e lirë vijon në linjat 35 kilovolt po e paguajnë kilovatin me dyfishin e këtij çmimi, sipas të dhënave të muajit nëntor dhe dhjetor të vitit të kaluar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.