Denoncimet anti-korrupsion; u mbars mali dhe polli një mi

8 February 2022, 17:55Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Denoncimet anti-korrupsion; u mbars mali dhe polli një mi

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, doli si çdo dy javë edhe këtë të martë për të dhënë “sihariqet” e punës së palodhur të njësisë antikorrupsion që thotë se ka ngritur në institucionin që drejton. Por, njoftimi i kësaj të marte ishte pak a shumë “u mbars mali e polli një mi”.

“Rastet e sotme do t’i nis me zyrtarë të gjendjes civile këtu në Tiranë”, tha Manja duke vijuar më pas me “kriminelët” që kishte kapur njësia e tij antikorrupsion. I pari ishte një punonjës i gjendjes civile që na paska martuar fiktivisht një shqiptare, për më tepër me një të burgosur në Itali.

Përtej veprës penale të dyshuar në këtë rast, ajo që bie në sy janë punët e rëndomta në të cilën harxhon energji, kohë, burime njerëzore e financiare Ministria e Drejtësisë, sikur të gjitha hallet e tjera më të mëdha në këtë vend me padrejtësitë i ka zgjidhur.

Në vend që të marrë rolin e inspektorit të regjistruesit të gjendjes civile, ministri i Drejtësisë ndoshta do të ishte më mirë që të zgjidhte problematikat që kanë dalë me hartën e re gjyqësore, ku ka dhënë gjysmën e kontributit në bërjen e saj.

Ndarja e re po kundërshtohet nga veriu në jug të vendit si e papërshtatshme, që do të rrisë kostot për qytetarët, vonojë drejtësinë për ta dhe që nuk zgjidh problemin madhor të këtyre viteve: stokun e dosjeve në sirtarët e gjykatave.

Para përpjekjes për të futur në burg një falsifikator të rëndomtë të gjendjes civile, nga ata që gojët e liga në vend thonë se i gjen në çdo bashki, ministri i Drejtësisë ndoshta do të ishte më mirë që të përqendrohej të shkeljet e shumta në sistemin e burgjeve, që janë në varësi të drejtpërdrejt të tij.

Skandali i fundit që u raportua nga burgu i Peqinit vetëm një javë më parë mund të ndihmojë në këtë drejtim. Hetimet që kanë nisur në këtë institucion treguan deri më tani dyshimet se si të burgosurit kishin korruptuar policinë e burgjeve për të ngritur brenda një institucioni aktivitete të lojërave të fatit dhe të bixhozit, që ironikisht ndalohen jashtë burgut, por në këtë rast jo brenda tij.

Denoncime të tjera ka plot me të cilat mund të bëhet më e dobishme Ministria e Drejtësisë, duke filluar që nga kadastrat dhe te thembra e Akilit e aferave korruptive në Shqipëri: tenderat. Rasti i fundit në Fondin Shqiptar të Zhvillimit për tenderin e “çfarë të hamë” në 100 fshatrat turistikë mund të jetë një udhëzues i mirë për Ministrinë e Drejtësisë.

Për këtë rast, SPAK ka nisur verifikimet, por të dhënat e Open Data Albania sugjerojnë se janë të paktën edhe 6 tendera të tjerë të këtij fondi me flamur të kuq, pra ku dyshohet se është favorizuar fituesi. Nga këtu mund ta nisë ministri i Drejtësisë për ta bërë vërtet të dobishme njësinë antikorrupsion që ka në varësi, duke na kursyer edhe deklaratat me “çiftime fiktive” ndërkombëtare.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video