A u ‘pre në besë’ Saimir Tahiri? Dyshimet pse nuk kërkoi përjashtimin e gjyqtarit

6 February 2022, 16:36Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
A u ‘pre në besë’ Saimir Tahiri? Dyshimet pse nuk
Saimir Tahiri në seancën e gjyqit ku dënua me 3 vjet e 4 muaj burg

Në 2014-n, si ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri i dorëzonte një listë të gjatë me emra gjyqtarësh dhe prokurorësh Presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që atë kohë kishte kompetencat të disiplinonte punonjësit e sistemit të drejtësisë që kapeshin në shkelje.

Tahiri akuzonte emrat e listës se lironin persona të rrezikshëm përmes vendimeve skandaloze, të dyshuara korruptive. Në listën e emrave të denoncuar nga Saimir Tahiri ishte edhe gjyqtari Engert Pëllumbi, që 8 vite me vonë goditi çekiçin që e dënoi me tre vite e katër muaj burg ish-ministrin.

Nuk mund të thuhet nëse Saimir Tahiri do të kishte shmangur qelinë, por gjatë gjykimit në Apelin e Posaçëm, ish-ministri i Brendshëm nuk e shfrytëzoi mundësinë për të larguar nga trupa gjykuese Engert Pëllumbin.

Provat për ta bërë këtë ishin të mjaftueshme dhe zyrtare. Ish-ministri i Brendshëm mjafton të dorëzonte në gjykatë listën e 2014-s, që e çoi dhe protokolloi edhe në KLD dhe Presidencë 8 vite më parë. Në këtë listë ndodhej e zeza mbi të bardhë emri i Engert Pëllumbit.

Tahiri e akuzonte Pëllumbin për tre vendime të dyshimta. Për të treja këto rastet prokuroria kishte kërkuar 'arrest me burg'.

Rasti më i rëndë është njëri ku akuzon gjyqtarin Pëllumbi se kishte liruar nga burgu Hekuran Meçanaj, i arrestuar nga policia për vrasje nga pakujdesia. Një tjetër rast ishte ai i Eqerem Braçit, i cili u arrestua për plagosje të rëndë me dashje, ndërkohë që gjyqtari e la në 'arrest në shtëpie'. Rasti i tretë ka të bëjë me një aksident me pasoja të rënda, ku Pëllumbi e la të lirë të akuzuarin.

Megjithatë, Saimir Tahiri nuk e shfrytëzoi këtë mundësi për të larguar nga trupa gjykuese si në konflikt interesi gjyqtarin Pëllumbi. Pse-në e di vetëm ish-ministri, por në media janë hedhur hipoteza se mes tyre mund të ketë pasur një “marrëveshje xhentëllmenësh”, nga e cila gjyqtari Pëllumbi “e preu në besë” ish-ministrin.

Gjithsesi, Saimir Tahiri tashmë është pas hekurave, ndërsa ka paralajmëruar se me të marrë vendimin e zbardhur të Apelit të Posaçëm do të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.

Rekurse të tilla janë të karakterit procedurial. Pra, Gjykata e Lartë nuk do të gjykojë në thelb këtë çështje. Por, procedurial është edhe dyshimi i mundshëm i konfliktit të interesit të gjyqtarit Engert Pëllumbi në këtë çështje. Mbetet për t’u parë nëse në rekurs ky konflikt do të theksohet nga mbrojtja e Tahirit, e mbi të gjitha nëse do të merret parasysh nga gjykata.

Nëse do të ndodhte kjo e dyta, çështja do të hynte në një tjetër kapitull, ku do të rikthehej edhe njëherë për gjykim po në Apelin e Posaçëm, por me trupë gjyqtarësh pa Engert Pëllumbin.

***

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video