
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet ditën e martë në seancë plenare për të vendosur në lidhje me shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Kushtetuesja do të marrë në shqyrtim raportin e komisionit hetimor të ngritur pas zgjedhjeve të 25 prillit, që e akuzon Metën për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe ligjeve të tjera të vendit.
Burime të Voxnews.al pohojnë se Presidenca është duke përfunduar raportin mbrojtës para Gjykatës Kushtetuese, që bazohet në disa momente të përplasjes mes Metës dhe socialistëve. Së pari, Presidenca do të vendosë në pikëpyetje legjitimitetin e funksionimit të vetë komisionit hetimor të drejtuar nga Alket Hyseni.
Presidenca pretendon se veprimtaria e këtij komisioni hetimor që hartoi raportin e shkarkimit që u votua në seancë plenare në maj të vitit të kaluar, ishte jashtë afateve ligjore të parashikuara nga ligji për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare.
Së dyti, burimet thonë se Presidenca do të mbrohet me mungesën e një ligji organik për institucionin e Presidentit, pra Presidenti nuk mund të ketë shkelur një ligj që nuk ekziston. Sa u takon parimeve kushtetuese që kanë të bëjnë me rolin e Presidentit si i paanshëm dhe mbi palët, Presidenca mendon se Meta jo vetëm s’i ka shkelur, por i ka mbrojtur këto parime, përfshi këtu edhe parimin e votës së lirë dhe të ndershme.
Me këtë qëndrim mund të sillet si shembull edhe vendimi i 2019-s i Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit. Për këto zgjedhje, Gjykata Kushtetuese nuk mori një vendim të prerë, duke e lënë çështjen pezull dhe “zjarrin” e përplasjes mes Metës dhe mazhorancës ende të ndezur.
Presidenca pritet që në seancë plenare të kërkojë gjithashtu edhe përjashtimin nga gjykimi të gjyqtares Fiona Papajorgji, të cilën Ilir Meta e ka paditur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkelje të rënda proceduriale gjatë relatimit të çështjes së vlefshmërisë së zgjedhjeve lokale të 2019-s.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.