Në përfundim të sagës hetimore dhe gjyqësore të Saimir Tahirit, pas 5 vitesh proces, trupa gjykuese e kryesuar nga Engert Pëllumbi, vendosi dënimin e ish-ministrit të Brendshëm me 3 vjet e 4 muaj burg.
Që nga e premtja, ish-ministri Tahiri ndodhet në qeli. Kërkesa për arrestimin e tij u paraqit në Kuvend në tetor të vitit 2017 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, përfaqësuar nga tre prokurorët: Elizabeta Imeraj, Gentian Osmanaj dhe Besim Hadarmataj.
“Duke qenë se emri i Saimir Tahirit ishte i njohur, është bërë dhe regjistrimi i tij si person nën hetim. Në kuadër të veprimtarisë kriminale të gjatë në kohë, pra të shtrirë në një periudhë të gjatë kohore, për grupin kriminal të strukturuar Habilaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, ka patur në hetim disa procedime, duke pasur parasysh dhe faktet që burojnë nga përgjimet telefonike dhe të bisedave ambientale për dhënie shpërblimesh funksionarëve të lartë shtetërorë në këmbim të krijimit të situatave të cilat ruajnë aktivitetin e tyre kriminal, të bëjë të mundur arritjen e qëllimit final që ka të bëjë me finalizimin e aktivitetit kriminal, krijohet baza e mjaftueshme e të dhënave që konsistojnë në prova konkrete që personi nën hetim të dyshohet se ka kryer vepra penale,” deklaronte prokurorja Elizabeta Imeraj.
Kërkesa e paraqitur u kundërshtua nga mazhoranca në pushtet, e cila e cilësoi kërkesën të pabazuar në prova.
Pas disa vitesh proces, thuajse me të njëjta prova, ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, u deklarua fajtor. Nëse mazhoranca e udhëhequr nga Edi Rama do të tregohej bashkëpunuese me drejtësinë, Tahiri do të ishte dënuar shumë kohë më parë, dhe kryeministri nuk do të kishte koston e bllokimit të drejtësisë, siç bëri edhe Sali Berisha me rastin e 21 janarit.
Vendimi i ditës së premte, u përshëndet dhe nga përfaqësues të diplomacive ndërkombëtare duk e cilësuar sukses dhe fundin e pandëshkueshmërisë së figurave politike.
Por në fakt, që në vitin 2017, prokurorët filluan hetimin për këtë çështje penale, duke kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm.
“Duhen patur parasysh vepra penale për të cilat hetohet. U tha nga ju që nuk jemi këtu për të parë sa procedime penale ka Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në funksion të trafikimit. Megjithatë duke qenë se ne kemi evidentuar një veprimtari të shtrirë në kohë në sajë të të cilës është konkluduar me sekuestrimin e lëndëve narkotike, ku ekzistojnë struktura të posaçme të Policisë së Shtetit, dhe duke qenë se ka prova dhe indice që bazohen në prova të tjera, që për të realizuar veprimtarinë kriminale, i janë dhënë shpërblime funksionarëve të shtetit, ekziston dyshimi i arsyeshëm, që ndodhemi para elementëve të figurave të veprave penale që përmendëm dhe personi në fjalë ka kryer vepër penale dhe duhet t’i nënshtrohet procedurave të tjera,” tha Imeraj në 2017.